Studimi për buxhetin e pandemisë në Shqipëri: Fonde dhe shpenzime të ulëta publike

Shoqata “Së Bashku për Jetën” publikoi në fundjavë një studim, sipas të cilit, Shqipëria është një nga vendet me fondet më të pamjaftueshme buxhetore për pandeminë Covid 19.

Raporti thekson se, gjatë vitit të parë të pandemisë, shpenzimet për shëndetësinë në Shqipëri ishin më të ulëtat në Europë.

Studimi i Shoqatës “Së Bashku për Jetën” gjeti se, ndërsa fondet buxhetore për Pandeminë Covid-19 ishin mëse të pamjaftueshme në Shqipëri, rritja e shpenzimeve familjare për shëndetin ishte më e larta në Europë gjatë vitit të parë të pandemisë.

Autorët pohojnë se Pandemia Covid-19 i përkeqësoi edhe më tej pagesat e larta nga portofoli familjar për t’u kuruar nga sëmundjet. Shpenzimet familjare për shëndetin u rritën dukshëm, duke arritur në nivelin më të lartë që nga viti 2007.

“Shqipëria regjistroi një rritje të lartë të vdekshmërisë shtesë, krahasuar me vendet e tjera të Europës, fakt që dëshmon se burimet e kufizuara mjekësore kanë ndikuar në përkeqësimin e mëtejshëm të pasojave të pandemisë. Gjatë vitit të parë të pandemisë vdekjet u shtuan mbi 26 për qind në raport me mesataren e 4 viteve të fundit” – thotë Denisa Canameti, një nga autoret e studimit.

Studimi thekson që ndonëse Pandemia Covid është më e rënda në 100 vitet e fundit, Shqipëria nuk po ushtron presion të lartë mbi fondet publike shtesë, që duhen në përballimin e krizës shëndetësore.

“Pavarësisht emergjencës pandemike, shpenzimet për sektorin e shëndetësisë në vitin 2020, u rritën me ritme më të ulëta se shpenzimet e përgjithshme buxhetore”, – thuhet në raport.

Autorët theksuan se buxheti i shtetit çoi në 9,62 për qind shpenzimet totale për financimin e shëndetësisë në 2020, përfshirë edhe rimbursimin e barnave, ose 0,8 për qind më pak se në vitin 2019, duke zbritur në nivelin më të ulët që nga viti 2016.

Studimi thekson se sipas Eurostat, shpenzimet e Shqipërisë për shëndetësinë vijuan të ishin më të ulëtat në Europë dhe në vitin pandemik 2020, me 297 euro për banor, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 2614 Euro.

Fondet kryesore të shëndetësisë shkojnë për trajtimin e pacientëve të shtruar në spitale”, por në vitin 2020 ato u rritën 3.7 për qind.

Rënien më të madhe të buxhetit e shënuan vizitat në Kujdesin Shëndetësor Parësor, ndonëse pacientët, që vuanin nga shqetësime të tjera, ngurronin për të shkuar në spitale gjatë periudhës së pandemisë.

Shoqata “Së Bashku për Jetën” theksoi në studim se pandemia Covid e shtoi rrezikun e e barrës së sëmundjeve në të ardhmen, sepse afro 20 mijë persona po vuajnë “Covidin e gjatë”, me dëmtime të mushkërive dhe të sistemit nervor, si dhe çrregullime psikike, që rritën shtrimet në spitalin psikiatrik.

Gjatë pandemisë ndërhyrjet kirurgjikale jourgjente u ulën me 27 për qind, u pakësuan trajtimet për të sëmurët kronikë, thekson raporti, ndërsa reduktimi i kontrolleve për tumoret rrezikon një përkeqësim të gjendjes klinike dhe shtim të vdekjeve edhe pas pandemisë për personat me tumor, probleme në zemër, veshkat dhe hipertension.

Sipas studimit të Shoqatës “Së bashku për Jetën”, Pandemia COVID-19 solli një tronditje të thellë ekonomike për Shqipërinë me kapacitete të dobëta fiskale, dhe pritet të sjellë një rritje të mprehtë të varfërisë ekstreme, në vendin me mundësi të dobëta financiare për më shumë shpenzime në fushën e shëndetësisë.