Thyen heshtjen avokati francez i Berishës: Çdokush duhet të mbrojë nderin, edhe nëse përballë ka…

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur avokatin francez Jean Yves Le Borgne për të mbrojtur atë në gjykatën e Parisit, pasi atje do të depozitojë padinë për shpifje ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili ligjëroi vendimin “non-grata” për ish-presidentin shqiptar.

Jean Yves Le Borgne është një ndër avokatët më të njohur, më të aftë, por dhe një nga më të shtrenjtët në Europë. Në një intervistë për gazetarin Genc Burimi, 71-vjeçari francez ka thënë se e konsideron legjitime ngritjen e kësaj padie, edhe pse në shtetin francez.

Le Borgne sqaron se nuk e njeh personalisht z.Berisha, por se është kontaktuar nga një mik i tyre i përbashkët i cili e ka vënë në dijeni për vendimin e DASH, për ta shpallur atë dhe familjen e tij “non-grata” në SHBA, si edhe ka kërkuar prej tij një këshillë si avokat për rrugën që duhej ndjekur.

Intervista e Plotë:

Pyetje: Zoti Avokat, opinion publik në Shqiperi eshte i interesuar të kuptojë fillimisht domethënien e hapjes së një padie për shpifje në Francë nga ana e zotit Berisha kundër sekretarit amerikan të Shtetit Antoni Blinken.

Jean Yves Le Borgne: Në Francë çdokush mund të hapë padi për shpifje ndaj çdo kujt, me kushtin që akti i supozuar i shpifjes të ketë ndodhur në territorin francez. E meqenëse ajo që zoti Berisha konsideron si shpifje është botuar në websitin e Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe meqenëse interneti e sjell këtë informacion dhe në territorin francez akti i shpifjes rezulton të jetë konsumuar edhe në Francë. Nga ky moment është legjitime që klienti im nga Shqipëria, zoti Berisha të hapë padi në Francë meqënëse rezulton se ka pësuar shpifje dhe në Francë.

Pyetje: Zoti avokat, në bazë të kësaj llogjike juridike që interneti është i konsultueshëm kudo në botë, zoti Berisha mund të kishte hapur padi dhe në Spanjë, Gjermani, apo në Portugali për shembull.

Jean Yves Le Borgne: Ndoshta po, por ndoshta dhe jo. Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetje sepse nuk e njoh legjislacionin në këto vende nëse ato e lejojnë një lidhje të tillë territorialiteti nëpërmjet internetit. Për rastin në Francë jam i sigurt dhe e marr e përsipër. Nëse shpifesh në Francë, drejtësia ta merr në konsideratë padinë , dhe publikimi i një shpifje në internet është si publikim në territorin francez.

Pyetje: A e njihnit personalisht zotin Berisha?

Jean Yves Le Borgne: Jo tamam. Kemi një mik të përbashkët. Është ai që më kontaktoi dhe më shtjelloi rastin se ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë është shpallur “persona non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, fare pa baza sipas tij, dhe më kërkoi se çfarë këshille mund të jepja unë si avokat. Dhe aty i propozova që unë mund ta merrja përsipër mbrojtjen e interesave të zotit Berisha mbi bazën e argumentimit juridik që jua detajova më parë. Publikimet në internet mbulojnë edhe territorin francez, ndaj është juridikisht e mundshme të konsiderohet se publikimi në fjalë ka ndodhur në territorin francez dhe si i tillë të gjykohet nga një gjykatë korreksionale franceze kur paditësi argumenton se publikimi që ai padit përmban elementë shpifës.

Pyetje: A jeni optimist për suksesin e procedurës që po ndërmerrni?

Jean Yves Le Borgne: Do të kemi një sukses të parë, kur padia të merret juridikisht në konsideratë në kuptimin që drejtësia franceze të caktojë një gjykatës hetuesi i cili do ta shqyrtojë dosjen dhe më pas t’ja paraqesë një trupi gjykues për gjykim në nivelin e gjykatës korreksionale.

Pyetje: Po imuniteti i Antoni Blinken a nuk do të përbënte një pengesë serioze për çuarjen në gjykim të padisë ?

Jean Yves Le Borgne: Në parim po. Veçse padia për shpifje nuk nevojit që i pandehuri të jetë i pranishëm. Ai mund të gjykohet në mungesë. Sido që të jetë, kemi të bëjmë në një aferë me vlerë më shumë të karakterit simbolik. Dënim nëse do të ketë, është vetëm i llojit të dëmshpërblimit financiar që në rastin e një shpifjeje në Francë janë dënime relativisht të moderuara. Por simbolika më e madhe rezulton tek imazhi i një përplasjeje që në frëngjisht e cilësojmë në mënyrë figurative si poçi prej balte kundra poçit prej hekuri. Nderi duhet mbrojtur dhe kur përballë ke më të fortët. Ky është sensi i drejtësisë

Pyetje: Së fundi a keni hasur në një jurisprudencë në Francë të ngjashme me rastin e zotit Berisha ?

Jean Yves Le Borgne: Ende nuk kam filluar nga analiza e detajuar e dosjes. Sigurisht është e pjesë e punës sime të hulumtoj në anale për dosje të ngjashme. Por përtej egzistencës së rasteve analoge, aksioni im juridik do të mbështetet mbi parimet e drejtësisë që operojnë në Francë, shpifja në internet edhe nëse është kryer në një vend tjetër, asimilohet me një shpifje në Francë duke qenë se interneti e ka përhapur atë dhe në Francë.