Kryeministri Edi Rama ka treguar detaje nga takimi i djeshëm më dy xhudistet nga Kosova, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.
Në një postim në facebook, Rama tregon se kur të dyja vajzat e Kosovës i kërkuan që të bënin foto, ai u tha me nota humori:
“Po unë jam tradhëtar, s’dua t’ju hap telashe!”.
Por në foton që Rama publikoi me dy xhudistet, vërshuan një mori komentesh negative, madje disa ndjekës e cilësuan kryeministrin si një “tradhtar të Kosovës”, i cili sipas tyre nuk meriton të pozojë krah dy vajzave.

“Dje pata kënaqësinë e posaçme të kem për vizitë nga Kosova dy vajzat e arta shqiptare të Tokios, së bashku me trainerin e tyre fenomenal. Kërkuan të më takonin dhe u ndjeva shumë i nderuar.
Biseda me vajzat e me trainerin dhe miqtë që i shoqëronin, ishte frymëzuese dhe me disa ide të bukura bashkëpunimi, që dakorduam t’i zhvillojmë së bashku. Kur kërkuan të dilnim edhe në fotografi, u thashë “Po unë jam tradhëtar, s’dua t’ju hap telashe!”. Qeshën shumë në fakt dhe i bëmë fotografitë, që kishin dëshirë edhe t’i postoja në faqen time.
Mirëpo, siç e prisja, ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit, që të sharat e mallkimet i kanë armët e tyre të luftës qorre të shqiptarit me shqiptarin dhe që s’po dinë hiç çka t’i bëjnë gomarit e po i bien samarit, u lëshua uturishëm në lumin e komenteve të postimit tim.
Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë, është më e mira që duhet thënë në këto raste. Dhe falur i kam, ata e kë ata i frymëzon e i ushqen me helmin verbues të urrejtjes, dasisë, frikës nga e ardhmja. Por dy fjalë sa më shkurt për një bisedë kaq të gjatë, s’po i le pa thënë me këtë rast”, shkruan Edi Rama.