Varianti “Delta” krijon panik në SHBA, Joe Biden rikthen përsëri maskat

485,015 Punonjësit federalë në Uashington dhe disa qytete të tjera filluan të mbajnë maska përsëri në punë pas një përhapjeje të variantit Delta të koronavirusit. Punonjësve të qeverisë pritet t’u thuhet të enjten se do të duhet të vaksinohen ose t’i nënshtrohen testimit të rregullt për virusin.

“Ndërsa asnjë vendim nuk është finalizuar, them se vërtetimi i vaksinimit për punonjësit federalë është një mundësi që po shqyrtohet,” u tha gazetarëve Karine Jean-Pierre, zëvendës sekretare e shtypit në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Joe Biden do të flas të enjten për çështje që lidhen me koronavirusin.

Shenjat për mbajtjen e maskave filluan të shfaqen të enjten në ndërtesat federale, përfshirë sallën e konferencave të shtypit në Shtëpinë e Bardhë, duke kërkuar që edhe të vaksinuarit të vinin maska.

Maska gjithashtu po kërkohen në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres. Mjeku i Kapitolit ndërmori veprimin pas rekomandimit të së martës nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që edhe ata që janë të vaksinuar duhet të mbajnë maska brenda ambienteve publike në zona me një transmetim të konsiderueshëm, ose të lartë të koronavirusit.

Kreu i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, kundërshtoi, duke deklaruar se mandati i mjekut për maska “nuk është një vendim i bazuar në shkencë”.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e pyetur të mërkurën nga një gazetar në lidhje me reagimin e zotit McCarthy, u përgjigj, “Ai është mashtrues”.

Partia Republikane ka qenë “e pabindur” të përqafojë shkencën për nevojën e maskave dhe vaksinave mes pandemisë së koronavirusit, u tha zonja Pelosi më vonë gazetarëve gjatë një konference në Kapitol.