Video/ “Të më marrësh mikrofonin që në fillim…” Berisha e prezanton si drejtor në PD, Lela i merr mikrofonin

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka prezantuar sot drejtorin e zyrës së shtypit, gazetarin Alfred Lela.

Në nisje të konferencës për shtyp, Berisha tha se Lela do të vendosë standardet më të mira të transparencës në PD.

“Kam kënaqësi të paraqes para jush drejtorin e zyrës së shtypit dhe komunikimit në PD, publicistin, gazetarin e mirënjohur, Alfred Lela. Alfredi ka një karrierë të suksesshme në fushën e gazetarisë. Pas përfundimit të studimeve ka bërë një vit kualifikimi në Masachusets University, ka kompletuar doktoraturën me një libër, më interesantin e jetës së tij. Do të drejtojë këtë sector jashtëzakonisht të rëndësishëm për partinë dhe për publikun me qëllimet më të mira për të vendosur standardet më të mira të transparencës, etikës së PD-së”, u shpreh Berisha.

Nga ana e tij Lela u shpreh se “do të flasim për të vërtetën dhe do ta bëjmë në mënyrë sa më të drejtë. Pse i bashkohem projektit të Rithemelimit të Berishës? Ne që bëjmë analiza politike, kemi kohë që flasim për hapje, hapje, hapje. Nëse nuk e bëjmë dhe vetëm flasim dhe kur na vjen mundësia që ti kontribuojmë hapjes, tërhiqemi është pak hipokrite”.

Në këtë konferencë të parë në përfundim të fjalës së Berishës, Lela mori fjalën e bashkë me të edhe mikrofonin. Pajisja duket se nuk arrinte deri te vendi i Lelës dhe Berisha e kaloi përmes një battue thumbuese.

“Të marrësh që në fillim mikrofonin tim nuk është mirë”, tha Berisha, teksa Lela mori më pas mikrofonin e njërit prej gazetarëve pranë.