Zbardhet sondazhi Ilir Alimehmeti, Belind Këlliçi, Gert Bogdani. Ja kush është kandidatura më e preferuar për të marrë drejtimin e Tiranës

Ende pa u afruar fushata zgjedhore, ka plasur debati dhe lufta e nëndheshme në politikë se kush do të marrë drejtimin e Tiranës. Por në fund do të jenë qytetarët që do të vendosin fituesin.Një nga gazetat e përditshme ka zhvilluar një sondazh ku pyetja ishte se “kush është kandidatura më e mirë për Bashkinë e Tiranës?”.  Rezultatet treguan se Ilir Alimehmeti është më i preferuari i lexuesve për të qenë kandidati i “Foltores” në zgjedhjet e ardhshme lokale.  Në përmbyllje të sondazhit të organizuar nga media jonë online, ku kanë votuar 1801 persona, mjeku Alimehmeti ka marrë 52 % të votave të lexuesve. Në këtë sondazh për kandidaturën më të mirë nga Selia Blu për Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti rezulton në krye të listës me 5 emra.

Ja si janë ndarë votat

Sipas renditjes së kandidaturat më të preferuara për të marrë drejtimin e Tiranës, emri i dytë në listë vjen aktori Julian Deda me 14 % të votave të lexuesve. Deda ka shfaqur ambicien për të kandiduar si kryetar Bashkie i Tiranës në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Deda tha se është një kandidat me potencial dhe pse jo mund të fitojë. Gjithashtu ai shton se ka si kontribut edhe në fushën e politikës. “Ti mendon se një Shkodran nuk mund të bëhet Kryetar Bashkie në Tiranë kur u bë njëri nga Ura Vajgurore? Më vjen keq tani, ai është nga Ura Vajgurore dhe u bë, pse mos të bëhet një Shkodran? Unë të paktën nuk kam shitur fiq dhe nuk kam punuar kamerier që të jemi të sinqertë. Ai gënjen që ka shitur fiq dhe unë s’po gënjej që nuk kam shitur,” tha Deda.

Ja ku renditet Belind Këlliçi

Me të njëjtat vota pas Julian Dedës, në listë renditen Belind Këlliçi dhe Gert Bogdani. Të dy politikanët kanë marrë 12 % të votave të lexuesve.  Belind Këlliçi u zgjodh deputet i Partisë Demokratike për Qarkun Tiranë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021 dhe ka mbajtur detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike që prej Dhjetorit të vitit 2015. Në vitin 2022, Belind Këlliçi ishte anëtari më i votuar i kryesisë së Partisë Demokratike. Pas vendimit të Lulzim Bashës për të larguar nga Grupi Parlamentar i PD-së Sali Berishën, FRPD dhe Belind Këlliçi iu bashkuan Foltores. Në 11 dhjetor 2021, Belind Këlliçi u zgjodh nga delegatët si drejtuesi i Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, nga ku Lulzim Basha u shkarkua si kryetar i PD. Nga ana tjetër Gert Bogdani në daljen ku bëri publike ambicien për të kandiduar si pikë të fortë të tij përmendi faktin se rrjedh nga një familje e vjetër tiranase. “I lindur dhe rritur në Tiranë në një familje të vjetër tiranase, me traditë dhe vlera, kam jetuar çdo ditë me dashurinë dhe ndjeshmërinë më të thellë për qytetin tonë”, tha ai. Bogdani u ndal tek gjithçka që ai mendon se është bërë keq në këtë qytet në 8 vite që drejtohet nga Erion Veliaj, ku nuk ndërtohet sipas tij për të ardhmen e të rinjve, por të oligarkëve. Në fund të listës në sondazhin e zhvilluar nga gazeta “SOT”, qëndron politikani Ilir Meta. Ai ka çdo post në jetë, me përjashtim të kolltukut të kryetarit të Bashkisë. Por më mirë mos t’i hyjë kësaj gare pasi vota e publikut duket qartë. Ish-presidenti është renditur i fundit me 10 % të votave të lexuesve.

“Pazari” me Bashkinë e Tiranës

Edhe pse në një vend demokratik, është vota e qytetarëve ajo që vendos fituesin, në Tiranë mund të përfundojë dhe një pazar mes partive politike. Pse e themi këtë? Gjithçka mund të përfundojë në një pazar, pasi në krye të Bashkisë së Tiranës, kandidati më i favorizuar nga Meta-Berisha dhe kryeministri Rama për të rivalizuar Erion Veliajn është Belind Këlliçi. Pra më shumë se sa kandidat i PD-së, Këlliçi do të jetë kandidat edhe i Ramës kundër Veliajt. Në sondazhet që  janë realizuar dhe në media të tjera në Shqipëri, njësoj si në gazetën “SOT”, Alimehmeti ka fituar bindshëm.

Skema e Ramës

Nga mbrapa Këlliçi nuk ka vetëm mbështetje të fortë Berishën dhe Metën, por edhe një pjesë të strukturave socialiste me në krye vetë kryeministrin Rama. Belind Këlliçi është bashkëshorti i Ana Shkrelit, vajzës së ish-zv ministrit socialist Artan Shkrelit, emër i njohur i partisë në pushtet dhe kupolës së qeverisë, i privilegjuar i Edi Ramës me poste të larta në qeverisjen e tij. Por kjo nuk është lidhja e vetme e Këlliçit me Partinë Socialiste. Ndërsa ai bënte opozitë, vëllai i tij merrte pagë nga një degë e ministrisë që drejtohet nga Belinda Balluku. Pra në këtë situatë kryeministri Rama mund të përdorë të njëjtën skemë që ndoqi me Sali Berishën, të cilit i dha Bashkinë e Shkodrës nëpërmjet Tom Doshit. Edhe me Bashkinë e Tiranës, Rama do e kandidojë Erion Veliajn, i cili është i mbështetur fuqishëm nga ndërkombëtarët, por në prapaskenë vota do të orientohet drejt Këlliçit. Gjithësesi surprizat nuk përjashtohen dhe në politikën shqiptare nuk kanë munguar kurrë.