Zbulimi i SHBA/ Rusia u përpoq të ndikonte zgjedhjet amerikane 

Sipas një raporti të zbulimit amerikan të publikuar të martën, presidenti rus Vladimir Putin ka të ngjarë të ketë drejtuar personalisht përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, për t’i orientuar ato në favor të kandidatit Donald Trump, një hap që sipas burimeve mund të bëhet shkak për sanksione nga ana e SHBA.

Raporti prej 15 faqesh, i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, u shton kredibilitet aludimeve të mëparshme se disa nga ndihmësit kryesorë të zotit Trump po bënin lojën e Moskës, duke amplifikuar pretendimet e ngritura kundër kandidatit të atëhershëm Joe Biden nga ana e disa figurave ukrainase të lidhura me Rusinë në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit. Ai u shton elemente të reja aludimeve se Putini ose e mbikëqyri personalisht, ose të paktën e miratoi ndërhyrjen në zgjedhje për të favorizuar kandidatin e atëhershëm Trump.

Uashingtoni pritet të vendosë sanksione ndaj Moskës, madje që javën e ardhshme, thanë dy burime që folën në kushte anonimiteti.

Gjetjet lidhur me rolin e Putinit ka të ngjarë të marrin një vëmendje të veçantë, duke pasur parasysh përfundimet e raportit se politikanë të mbështetur nga Rusia, si deputeti ukrainas Andriy Derkach, bindën disa figura politike amerikane të bëheshin pjesë e fushatës së tyre për të shpifur kundër zotit Biden dhe djalit të tij, Hunter.

Raporti përmend me emër deputetin Derkach, i cili në vitin 2019 takoi avokatin e zotit Trump, Rudy Giuliani, duke thënë se lëvizjet e deputetit ndiqeshin me kujdes, në mos drejtoheshin nga vetë Putini.

“Putini i mbikëqyrte aktivitetet e Andriy Derkach-it,” thuhet në raport. “Edhe zyrtarë të tjerë të lartë morën pjesë në përpjekjet e Rusisë për ndërhyrje në zgjedhje – duke përfshirë zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare dhe të zbulimit, të cilët vlerësojmë se nuk do të vepronin pa marrë të paktën miratimin e heshtur të Putinit,” thotë raporti.

Demokrati Biden e mundi republikanin Trump në zgjedhje dhe u inaugurua si president në janar.

Edhe më parë, agjencitë amerikane të zbulimit dhe ish-prokurori i posaçëm Robert Mueller kishin arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e vitit 2016 për të shtuar shanset e kandidatit Trump, me një fushatë propagandistike që synonte dëmtimin e kundërshtares së tij demokrate Hillary Clinton.

Prokurori Mueller zbuloi kontakte të gjera midis fushatës së zotit Trump dhe Rusisë. Në kohën që ishte president, Trump po ashtu u përball me pyetje rreth lidhjeve të bashkëpunëtorëve të tij me Rusinë dhe me figura ukrainase të lidhura me Rusinë. Në vitin 2019, Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza për shkarkimin e Presidentit Trump, të cilat buronin nga kërkesa e tij që Ukraina të hetonte zotin Biden dhe djalin e tij Hunter.

Agjencitë e zbulimit amerikan identifikuan edhe tentativa të tjera për të ndikuar te votuesit, duke përfshirë një “fushatë ndikimi të fshehtë shumëplanëshe” nga ana e Iranit, që synonte të ulte mbështetjen për zotin Trump.

Kur ishte president, zoti Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje bërthamore shumëpalëshe me Iranin dhe vendosi sanksione të reja kundër Teheranit.

PËRFUNDIMET E RAPORTIT PËR KINËN

Raporti ndërkaq nxjerr si të pavërtetë një version të mbështetur nga aleatët e zotit Trump se Kina po ndërhynte në emër të kandidatit Biden. Raporti arrin në përfundimin se Pekini “nuk bëri përpjekje për ndërhyrje”.

“Kina kërkoi stabilitet në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe mendoi se nuk do t’ia vlente (të bënte diçka), pasi cilido rezultat zgjedhor nuk do t’i krijonte asaj ndonjë avantazh aq sa të rrezikonte një kundërpërgjigje nëse kapej,” thuhet në raport.

Zyrtarët amerikanë thanë se ata kishin zbuluar gjithashtu përpjekje nga ana e Kubës, Venezuelës dhe grupit militant libanez Hezbollah për të ndikuar në zgjedhjet e SHBA. Megjithatë, thonë autorët e raportit, “në përgjithësi, ne vlerësojmë se ato ishin më të vogla në krahasim me ato të ndërmarra nga Rusia dhe Irani”.

Ambasadat ruse, kineze dhe kubane në Uashington nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Misioni iranian në Kombet e Bashkuara dhe Ministria e Informacionit e Venezuelës gjithashtu nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Moska, Pekini dhe Teherani zakonisht i mohojnë akuzat për sulme kibernetike dhe ndërhyrje në zgjedhje.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment nëse ndaj Rusisë do të viheshin sanksione duke filluar që javën e ardhshme, lajm që u raportua së pari nga televizioni CNN.

Një zyrtar i administratës Biden tha se presidenti kishte qenë “i qartë” se Uashingtoni do t’u përgjigjej veprimeve destabilizuese ruse dhe vuri në dukje hapat e SHBA për t’iu kunërpërgjigjur sulmit me agjent kimik të ndërmarrë nga Rusia ndaj kritikut të Kremlinit Aleksei Navalni.

“Së shpejti do të ketë të tjera,” tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.

Raporti i zbulimit vlerëson me një shkallë të lartë bindjeje se udhëheqësit rusë “preferonin që ish-Presidenti Trump të fitonte rizgjedhjen edhe pse ata i perceptonin si anti-ruse disa nga politikat e administratës së tij”.

Sipas raportit, një rol të rëndësishëm luajti një person tjetër i lidhur me zbulimin rus, Konstantin Kilimnik. Në raport thuhet se Kilimnik dhe Derkach u takuan dhe u dhanë materiale njerëzve të lidhur me ish-Presidentin Trump për të kërkuar hetime zyrtare, ndërkohë që Derkach publikoi katër regjistrime audio në përpjekje për të vërtetuar se Bideni ishte orvatur të mbronte të birin Hunter nga një hetim korrupsioni në Ukrainë. Giuliani ishte ndër ata që e nxitën qarkullimin e pretendimeve të tilla.

Kilimnik ishte bashkëpunëtor i Paul Manafort-it, ish kryetar i fushatës së kandidatit Trump në zgjedhjet e 2016-s.

Vitin e kaluar, zoti Trump e fali Manafortin, i cili ishte shpallur fajtor në një çështje penale që rridhte nga hetimi i prokurorit Mueller.

Agjentët rusë gjithashtu u përpoqën të piratonin filialet e kompanisë ukrainase të energjisë Burisma, “ndoshta në përpjekje për të mbledhur informacione për familjen e Presidentit Biden”, thuhet në raport. Hunter Biden kishte shërbyer në bordin e kompanisë Burisma.

E ashtuquajtura fabrikë ruse e dezinformimit, e cila më parë quhej Agjencia e Kërkimit në Internet, përhapi thashetheme nënçmuese për zotin Biden në mediat sociale, ngriti ankesa për censurime nga ana e kompanive të teknologjisë së lartë dhe u përpoq të thellonte ndarjet rreth drejtësisë racore në SHBA, thuhet në raportin e zbulimit amerikan./VOA