Gjyqtarja e Elbasanit Enkeleda Kapedani, ka dalë sot para Këshillit të Lartë Gjyqësor ku do të vendoset për pezullimin ose jo të saj nga detyra. Kapedani u bë virale në rrjetet socale dhe në media pas videove të saj në “Tik Tok”, ku e kishte kthyer zyrën e Gjykatës në paradë mode.
Gjithashtu, Kapedani ka deklaruar para KLGJ se ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetares së Gjykatës së Elbasanit. Gjatë seancës Enkeleda Kapedani ka shpërthyer në lot dhe ka kërkuar të mos pezullohet.
Pjesë nga deklarata e Kapedanit në KLGJ:
Po e nis mbrojtjen me një ndjesë të thellë publike. Kam pritur gjatë të dalë para jush. Kjo për shkak të një vendimi të dhënë nga unë që me ndjek e perndjek edhe sot. Jam gjyqtare e denjë.
Asnjë sekondë e jetës sime private nuk ka ndikuar te puna. E gjithë kjo që ka ndodhur është një tmerr për mua, pa menduar dy herë të gjithë vendosën që të më bëjnë gjyq publik. A keni ju një bilanc të punës sime si gjyqtare?
Më lejoni të pyes sërish se në cilin vend të botës një gjyqtar shkarkohet se po dëgjon muzikë, apo që i janë publikuar video private. Pse isha pikërisht unë e goditura, kë kam shkelur unë në kallo, kam të drejtë të pyes, pasi më lindin shumë pikëpyetje.
Është e qartë se kjo situatë ka qenë e qëllimshme, kryesisht për shkak të karrierës sime. Mos vallë isha duke konsumuar drogë? Isha duke komunikuar me avokatë apo prokurorë?
Unë e kuptoj presionin e madh që qëndron mbi ju, po ashtu dhe mbi mua, mos lejoni që ethet e klikimeve dhe bota e krimit të godasin mbi mua.
Unë kam paraqitur dorëheqjen nga posti i nënkryetares së Elbasanit, për të vijuar më tej punën si gjyqtare në këtë insitucion.