Zyrtare/ KQZ certifikon zgjedhjet e 25 prillit dhe vulos fitoren e PS

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit, gjatë mbledhjes që nisi pasditen e sotme ku në rend dite ishin miratimi i rezultateve për 11 qarqet e vendit, duke qenë se Kukësi është certifikuar nga KQZ disa ditë më parë.

KQZ miratoi tabelat e rezultateve sipas qarqeve, ku nuk pati asnjë pretendim nga partitë e përfaqësuara në KQZ. Nga sot, çdo parti ka 5 ditë afat të bëjë ankim në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) nëse kanë pretendime për rezultatin, apo kërkesa për rinumërim.

Vetëm pasi KAS të shqyrtojë të gjitha ankesat dhe Kolegji të japë vendimet, në rast se ndonjë subjekt s’e çon në Kolegj, Ilirjan Celibashi shpërndan më pas mandatet me emrat e deputetëve.