“5 vjetori” i reformës si
“5 Maji” i dëshmorëve,
por pa vizitë në varreza
Nga Elton Qyno
Festë të madhe die kishte Shqipëria. Krerët e intitucioneve më të rëndësishme të Shtetit dhe përfaqësive të huaja në katundin tonë, ishin mbledhur në një tryezë për të diskutuar arritjet e Reformës në Drejtësisë. Reformë e cila u votua me 140 vota, këtu e 5 vite më parë nga ligjvënësit e Kuvendit, duke i hapur rrugë ngritjes së institucioneve të reja.
Dhjetëra raportime shqetësuese për korrupsionin në drejtësi, vendimet arbitrare, deklaratat plepiste Gjini-Malaj, u bënë shkaku që të niste një proces rindërtimi nga fillimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Mirëpo pesë vite nga nisja e kësaj reformë, s’mund të thuhet se procesi ka përfunduar. Një pjesë e madhe e gjykatave, përfshi edhe gjykatën kushtetuese, u ndërtuan të gjitha nga e para, ndërsa ende dhe sot nuk janë plotësuar me gjyqtarë. Janë më shumë se gjysma e prokurorëve që nuk kanë kaluar në vetting. Ndërsa, individë nga prokuroria e gjykata që nuk meritonin të iknin dhe që kishin vendosur një gur nderi në shërbim të publikut, u hodhën në rrugë, me argumenta të çuditshme se kishin vetëm një shtëpi apo se kishin dajon apo kunatin “ballist”. Dhe e kundërta ka ndodhur që gjyqtarë e prokurorë të lidhur me politikën dhe qarqet kriminale e biznesit të oligarkëve, kanë kaluar në “Vetting” dhe sot janë shëndoshë e mirë brenda sistemit.
Ndërkohë sot e pas 5 viteve, vendimet abuzive nga gjyqtarë e prokurorë vijojnë, mbase edhe më të rënda se më parë. E nga ana tjetër, politika në ditët e sotme i ka ngjitur këtij sistemi Drejtësi, dhe nofkën “KÇK” alias “Kap Ça të Kapësh”… Por në fakt është vetë politika e të gjitha ngjyrave, që ka kontribuar për të ndërtuar një sistem drejtësie të tillë, kriminal dhe totalisht të varur nga kunjukturat e korrupsioni.
Ndaj që me shumë diskutime, 5 vite më parë u ndërmor një ndërhyrje kirurgjikale mbi këtë “pacient” që nëse nuk mbahet në mënyrë të vazhdueshme me oksigjen, ka të ngjarë që mund të mbesi edhe i vdekur në sallën e operacionit. Është një proces i dhimbshëm dhe që duhet të shtrëngosh fort dhëmbët. Ashtu si procesi i lindjes së një gruaje, që ka shumë dhimbje dhe shumë vështirësi, por në fund ama, lind një FËMIJË, lind shpresën, lind buzëqeshjen…
Ndaj të gjithë ditën e djeshme, ishin të gëzuar që me mundim dhe përpjekje, kunjuktura dhe dredhi nëpër zyra politike, vettingu e zyra oligarkësh, ja kishin mundur kësaj dite me mundim e përpjekje dhe futje brrylash e spiunlliqe tek shokët e vetë. Të gjithë ishin të gëzuar në fytyrat e tyre, por çuditërisht vura re se ishin të pakënaqur në fjalimet e veta që bënë publike në këtë kremtim 5 vjetori.
Dhe për të bindur të gjithë dynjanë se drejtësia po funksionon dhe se institucionet po forcohen dhe konsolidohen, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ditën e djeshme ishte qershia mbi tortë, i këtij kremtimi 5 vjeçar.
Kryetari që vjen nga shoqëria Civile i KLP-së, i cili tanimë është kthyer në barsaletë nëpër korridoret e Drejtësisë, pasi “vdes” të bëhet çik, Gjyqtar Apeli, kishte caktuar datën e djeshme për intervistimin, e dy kandidatëve për të qënë pjesë e skuadronit gjuajtës të SPAK-ut.
Ky kryetar, që është bërë me keq se personazhi i Jovan Bregut, që kërkonte të bëhej medoemos çik Magazinier, po bën përpjekje dhe lajka, për tu bërë pak Gjyqtar Apeli ose Gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Se mandati, gati po i mbaron dhe pasandaj i bie të kthehet sërisht në rogozin ku ishte.
Këta o vëlla s’të lenë as rradhë as sërë. Nga Kryetar në Kryëtar. Nga një vend me firmë e vulë, duan sërisht një vend tjetër, me çekiç e vulë.
Mirëpo teksa në tryezë e rrumbullakët flitej e diskutohej për 5-vjeçarin e “Reformës në Drejtësi”, nga mbledhja e KLP-së emëroheshin dy prokurorë të tjerë, duke u bërë pjesë e prokurorisë së posaçme SPAK. E ku kishte më bukur. Nga njëra anë diskutohej, nga ana tjetër veprohej dhe emërohej. Reforma lëvizte, nuk mund të ndalej në asnjë minute edhe pse titullarët ishin mbledhur e diskutonin për sfidat që i prisnin në vazhdim.
Por pavarësisht se lajmi doli, që KLP-ja e “Jovan Bregut” i ndezi dritën jeshile dy prokurorëve për tu bërë pjesë e SPAK, në fakt sot vetëm 1 prokuror shkoi në SPAK. Dhe ai që shkoi sot në SPAK është Adnand Xholi, një prokuror karriere dhe profesionist, të cilit unë i urroj suksese të mëtejshme në detyrën e re.
Ndërsa Dorina Bejko, nuk shkoi sot në SPAK. Prokurorja Bejko, ka 5 apo 6 muaj më pare që hyn e del çdo ditë nga godina e SPAKU-t. Dhe kjo për shkak të një vendimi të personalizuar të Arben Krajës, për ta komanduar këtë prokurore të Pogradecit, në prokurorinë e Posaçme në Tiranë.
Them të personalizuar të Krajës, pasi kjo prokurore konkuroi në KLP përballë Krajës, në periudhën e përzgjedhjes së dhjetëshes së parë të prokurorëve që do futeshin në SPAK, dhe nuk fitoi. Mirëpo, gjashtë muaj më parë me një vendim preferencial të Krajës, kjo prokurore futet në SPAK dhe sot mer emërimin e plotë nga KLP-ja, e Jovan Bregut.
Me këtë vendim të djeshëm, bëhen dy prokurorë të akuzës së Pogradecit, që hynë në SPAK. Megjithëse as konkuruan dhe as fituan, për tu bërë pjesë e SPAK. Por në fakt u katapultuan nga segmente të caktuara politike dhe të pushtetit në fuqi, për të qënë pjesë e kësaj strukture të posaçme. Bejko as është dëgjuar dhe as njihet për ndonjë thagmë të përfaqësimit të ndonjë dosje të bujshme apo komplekse në prokurorinë e Pogradecit. Por ja që jemi në Shqipëri dhe duhet kuptuar realiteti ku jetojmë. Dhe duhet thënë Shqip disa gjëra, se edhe kreu i SPAK, Arben Kraja është i kapshëm nga dikush tjetër, ka disa detyrime dhe duhet tu bëjë qokat disa njerëzve.
Nga ana tjetër, vijmë në këtë ditë të shënuar si 5 vjetori, me një takim të përgjithshëm të krerëve të institucioneve kryesore që lindën nga Reforma në Drejtësi. Takim i cili ishte për 5 vjetorin e Reformës, por në fakt ngjasonte me “5 Maji-n” e dëshmorëve. Veçse me një ndryshim të vogël, që nuk pati vizita ceremoniale në varreza.
Mbase organizatorëve të Ministrisë së Drejtësisë, nuk u kishte shkuar në mëndje, se pas përmbylljes së takimit për sukseset e vajtimet, mund të kryenin dhe ndonjë vizitë në ambjentet e burgut 313, për të parë nga afër, se çfarë viktima kishte shënuar “Reforma në Drejtësi” gjatë këtyre 5 vjetëve.
Të gjithë ishin të gëzuar që me mundim dhe përpjekje, kunjuktura dhe dredhi nëpër zyra politike, vettingu e zyra oligarkësh, ja kishin arritur kësaj dite, me mundim e përpjekje dhe futje brrylash tek shokët. Të gjithë ishin të gëzuar në fytyrat e tyre, por çuditërisht vura re se ishin të pakënaqur në fjalimet e veta që bënë publike në këtë kremtim 5 vjetori.
Them të pakënaqur se kushdo që e mori fjalën, qahu dhe vajtoi hallin e vetë. Prokurori i Përgjithshëm, tha se dakord ishte me reformën, por halli është si do ja bëjmë stokut të dosjeve që po del mbi çatitë e prokurorive të Rretheve dhe Apeleve. S’ka më prokurorë që ti zenë me dorë,u çapluan, sa punë të bëjnë njëherësh. Rrezikojmë kolapsin…, tha prokurori Çela. Çala kërkoi ndryshime të ligjit, kërkoi kompetenca se me këtë situatë që ndodhet, ka duart e lidhura. Nuk është as për gjë…
Etilda Gjonaj, si zakonisht foli e foli dhe në fund tha se ç’do bëjmë me atë hartën e re gjyqësore, se gjykatat ngelën si plevica.
Nga ana tjetër Arben Kraja, teksa artikuloi se pandëshkueshmëria ka marë fund dhe ligji është i barabartë për të gjithë, doli sërisht tek halli i tij. Kërkon logjistikë, ambjente të reja, e prokurorë të tjerë se për qamet, nuk përballohet volumi i punës në SPAK. Madje aq të domosdoshëm e quan Kraja, shtimin me dy prokurorë, sa është gati të ulërasë me të madhe “…Fitore…Fitore…”, njësoj si Bujar Kapexhiu që thëriste tek filmi “Duel i heshtur”.
“…Dua të falenderoj KLP sot që më në fund u shtuan dhe dy prokurorë. Arritëm në 15. Ky numër duhej të kishte qenë që në hapjen e parë të SPAK, megjithatë, ia arritëm dhe kjo është fitore…”- tha Arben Kraja.
Dhe sërisht do vijë muaji Shtator 2021, kur KLP do hapë prapë dy vakanca të reja, për tu bërë pjesë e prokurorisë së posaçme SPAK. Kjo për shkak të heqjes dorë të prokurores Elisabeta Imeraj dhe shkarkimit nga detyra të prokurorit, Anton Martini. Dy asetet që për mua duhet të ishin patjetër në atë të urruar SPAK.
Ndërkohë sot në SPAK, hiq 4-5 prokurorë që janë prokurorë kalibri të tjerët vegjetojnë. Ose kam frikë se në disa raste disa prokurorë aty brenda, janë në konflikt me drejtuesin e SPAK, për kryerjen e arrestimeve, duke i mbajtur çështjet në kosh dhe çuar në gjykatë sipas situatës e qëllimit të tërheqjes së vëmëndjes.
Ndërsa prokuroritë e gjykatat e rretheve janë kthyer në miniera letre, që punonjësit brenda tyre nuk dinë ku të përplasin më parë kokën dhe nga cila çështje të fillojnë hetimin. Edhe të mendosh këtë situatë, se si do përkeqësohet akoma dhe më tepër kur “Vettingu” ka ende në fuqi mandatin 1 vjeçar. Dara e hekurt dhe çekiçi i këtij “vetting” vijon të shkaktojë dëshmorë “5 Maji” pikërisht kur janë mbudhur dhe 5 vite nga nisja e Reformës në Drejtësi.