Gjikoka i “Ambel Beach” struket në Angli, por në Tiranë kërkon heqjen e masës “Arrest në burg”

Një kërkesë e çuditshme që ndodhet në gjykatën e Apelit dhe që pritet të shqyrtohet nesër nga gjyqtarja Edlira Petri. I arratisuri që i vodhi pronën djalit të dajës dhe që s’ka guximin të përballet me të në gjykatë.

Helidon Gjikoka, pseudobiznesmeni që tjetërsoi pronën e kushëririt të tij në kompleksin “Ambel Biach” në në Gjilekë të Himarës, kërkon të ndryshojë masën e sigurisë në gjykatën e Apelit Tiranë. Kërkesa e Helidon Gjikokës vjen në një kohë kur ka humbur disa herë të drejtën për të rrëzuar masën e “arrestit në burg”.

Vetë Gjikoka edhe pse ka një masë ndalimi siç është “Arresti në burg”, për 8 muaj me rradhë nuk është arrestuar nga policia Shqiptare, për shkak të largimit të tij në drejtim të Anglisë. Çështja e kërkesës së Gjikokës për zëvendësimin e masës së sigurisë, do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 09:00 në ambjentet e gjykatës së Apelit Tiranë. Gjyqtarja që do shqyrtojë kërkesën është Edlira Petri, e cila në muajin qershor 2020, mundi të kalojë procesin e “Vettinggut”. Gjikoka në këtë kërkesë ka përdorur një “truk” për gjyqtaren Petri, pasi avokatët e tij mbrojtjës kanë vrapur deri në Vlorë, duke “rrëmbyer” një vendim mosfillimi të proçedimit penal, vendim i cili është marë nga prokurorja e Vlorës Elona Alvora. Por avokatët bëjnë një analogji të gabuar të ligjit, pasi pikërisht vendimi i mosfillimit të hetimeve për Helidon Gjikokën, është rrëzuar nga Gjykata e Apelit Vlorë, e cila urdhëron që prokuroria Alvora, të kryejë hetimet për çështjen. Helidon Gjikoka, ka ripërsëritur një kërkesë të paprecedentë në fakt, pasi nga arratia ai kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë.

Gjikoka, duhet të marë guximin dhe të përballet me drejtësinë, duke hedhur hapin e parë atë të vetëdorëzimit në polici. Por përkundrazi ai kryen veprime duke ju fshehur drejtësisë, fshehur ballafaqimit me akuzat e prokurorisë dhe më e habitshmja është se nga arratia kërkon lirimin. Gjikoka, të njëjtën kërkesë kishte depozituar dhe në gjykatën e shkallës së parë Tiranë, por nuk mundi të rrëzojë masën e sigurisë “arrest në burg”. Kërkesa e Gjikokës për të ndryshuar masën e sigurisë, vjen në një kohë kur ai së bashku me 7 zyrtarë të ALUIZNI Vlorë dhe Tiranë, janë marë të pandehur për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave”.

Tashmë, prokuroria e Tiranës ka urdhëruar dhe sekuestrimin e kompleksit “Ambel Beach”, që ndodhet në bregdetin e Gjilepës në Himarë. Vendimi është marrë nga prokurori Ervin Karanxha dhe Marjeta Zaimi, të cilët urdhërojnë Agjensinë Shtetërore të Kadastrës, të vendosë masën e sekuestros mbi parcelën 1353 metra katror, ku është ndërtuar kompleksi turistik “Ambel Beach”. Së bashku me sipërfaqen e tokës, prokuroria ka bllokuar dhe ndërtimin prej 451 metra katror. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria e Tiranës, kompleksi “Ambel Beach” është legalizuar dhe më pas marë vërtetimi hipotekor në datën 28 janar 2019 nga njëri prej personave të pandehur Helidon Gjikoka. Tashmë kjo pasuri është “ngrirë” në hipotekën e Vlorës, me qëllim mos tjetërsimin e pronës tek persona të tretë. Në këtë dokument tregohen të gjitha shkeljet e kryera nga zyrtarët si dhe veprimet arbitrare të kryera nga sipërmarësi Helidon Gjikoka, i cili ka mundur ti tjetërsojë pasurinë kushëririt të tij, Ilir Koka, duke përdorur vetëm një kontratë qëraje të falsifikuar. Sipas dosjes hetimore që Ora Neës e disponon i pandehur është marrë Ardian Musta, ish-drejtori i ALUIZNI-t në Vlorë. Më tej lista e personave të pandehur vijon me biznesmenin që administron kompleksin turistik “Ambel Beach” Helidon Gjikoka, avokatin Ariton Kasaj dhe zyrtarë të tjerë.

Mes emrave të pandehur që akuzohen për “Shpërdorim detyre” janë dhe Enida Bukuroshi dhe Jonida Hallvaxhiu, punonjëse të drejtorisë qëndrore në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës. Sipas hetimit të kryer Gjikoka dhe avokati Kasaj, kanë firmosur në datën 27 shtator 2018 një kontratë noteriale, ku Kasaj ka nënshtruar në emër të pronarit të hotelit dhe tokës, Ilir Koka. Kjo kontratë sipas prokurorisë, humb fuqinë në 31 gusht 2021 dhe se Helidon Gjikoka, duhet të lerë objektin. Por hetimi i kryer nga ana e prokurorisë së Tiranës, ka zbuluar se Helidon Gjikoka, 7 ditë para firmosjes së kontratës së falsifikuar me avokatin Kasaj, në 20 shtator 2018 çuditërisht është pajisur me çertifikatë legalizimi. Ndërsa në 28 janar 2019, Gjikoka, thotë prokuroria e Tiranës, është pajisur me vërtetim hipotekor nga ASHK-ja Vlorë. Në dokument thuhet se “…pas verifikimit të kryer në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, ka rezultuar se në rrethana ende të paqarta, e gjithë pasuria që më parë ishte në pronësi të kallëzuesit Ilir Koka, në bazë të lejes së ndërtimit, rezulton në emër të palës së kallëzuesit Helidon Gjikoka…”. Ndaj Gjikokës dhe avokatit Ariton Kasaj, prokuroria e Tiranës ka ngritur akzuën e “Mashtrimit me pasoja të rënda” në bashkëpunim dhe “Falsifikim i dokumentave”. Ndërsa për zyrtarët e tjerë të ALUIZNI Vlorë dhe ASHK Tiranë, janë ngritur akuza e “Falsifikimit të dokumentave” kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”. E njëjta çështje është duke u hetuar nga prokuroria e Vlorës, e cila fillimisht vendosi të mosfillojë kallëzim Penal, por Gjykata e Apelit Vlorë urdhëroi t’ia kthejë dosjen prokurorisë për rihetim.