Nga:
Debati për 1430 metër tokë në Dhërmi kanë sjellë nisjen e procedimit për 11 zyrtarë të ALUIZNI-t dhe institucioneve të tjera. Shkak është bërë denoncimi i të zotit të sipërfaqes i cili pretendon se kishte dhënë me qira kabinat e pushimit, por qiramarrësi i kishte tjetërsuar pronësinë përmes ALUIZNI-t
Prokuroria e Tiranës, ka vendosur të mbyllë hetimet për një çështje penale, që flet për tjetërsimin e pronave në fshatin Dhërmi, aty ku është ndërtuar kompleksi turistik “Ambel Beach”,që momentalisht administrohet nga Helidon Gjikoka.
11 persona, zyrtarë të hipotekës Tiranë dhe Vlorë si dhe punonjës të ALUIZNI-t, do meren të pandehur për akuzën e “Vjedhjes së pasurisë me anë të mashtrimit”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave”.
Ndër personat e vënë nën hetim mësohet të jenë dhe Helidon Gjikoka, Ardian Musta ish-drejtori i ALUIZNI-t Vlorë, dhe zyrtare të tjerë. Hetimi i nisur 7 muaj më parë nga akuza e kryeqytetit, e cila ka nxjerë në dritë një sërë dokumentash të falsifikuara, të cilat më pas janë përdorur për tjetërsimin e një sipërfaqe toke në zonën e quajtur “Perivollo” që ndodhet në bregdetin e bukur të fshatit Dhërmi.
Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 1430 m2 me vendodhje në vijën e parë të bregut të detit, e cila rezulton e përfituar sipas ligjit 7501 nga shtetasi Ahilea Koka. Më pas ky i fundit në gusht të vitit 2007, ja ka dhuruar me testament shtetasit, Ilir Koka.
Hetimi ka provuar se mbi pasurinë me nr. 36/9 që zotërohet nga Ilir Koka, ky i fundit ka ndërtuar disa kabina pushimi dhe që më pas janë marë me qëra prej kushëririt të tij, Helidon Gjikoka, nga qyteti i Vlorës.
Kontrata e datës 27 shtator 2018, në dukje është firmosur para noteres Saimira Hoxha, mes Ilir Koka dhe Helidon Gjikoka. Por prokuroria nga hetimi i kryer tregon se në emër të Ilir Kokës në këtë rast ka firmosur një person tjetër që është avokat. Kjo kontratë sipas prokurorisë, humb fuqinë në 31 gusht 2021 dhe se Helidon Gjikoka, duhet të lerë objektin. Por hetimi i kryer nga ana e prokurorisë së Tiranës, ka zbuluar se Helidon Gjikoka, ka paraqitur pranë “ALUIZNI-t” kërkesën nr. 2286 me qëllim legalizimin në emrin e tij të 12 objekteve të ndërtuar në sipërfaqen prej 1430 m2 tokë.
Pranë ALUIZNI-t, Gjikoka ka depozituar në cilësinë e provave që provonin pronësinë, lejen e ndërtimit në emër të Ilir Koka, Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi për parcelën 36/9 të ndodhur në Perivollo, me sipërfaqe 1430 m2, që janë në emër të shtetasit Ahilea Koka, por të trashëgueshme me testament nga Ilir Koka.
Hetimi ka provuar se që prej datës 28 janar 2019, këto pasuri rezultojnë në pronësi të Helidon Gjikoka, e provuar kjo, me anën e vërtetimit Hipotekor të lëshuar po në këtë datë nga hipoteka Vlorë, e cila ka rregjistruar në emër të Helidon Gjikoka pasurinë “Kompleks Shërbimi me 12 Objekte”, ndodhur në Gjilekë,Himarë. “…fakti i kalimit të pronësisë në mënyrë të kudraligjshme nga Ilir Koka tek Helidon Gjikoka është bërë në mashtrim të ligjit dhe pa vullnet të pronarit të ligjshëm…”-thotë prokuroria.
Personat e vënë nën hetim
- Helidon Gjikoka, administrator i “Ambla Beach”
- Ardian Musta, me detyrë Drejtor ALUIZNI-t Vlorë
- Arben Jaupi me detyrë arkitekt
- Arition Kasaj me detyrë avokat
- Erdet Mandi me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë
- Donald Fzega përgjegjës i verifikimit në terren
- Denis Metaj me detyrë Përgjegjës i sektorit të legalizimeve
- Bojkena Bani me detyrë arkitekte dhe punonjëse pranë ASHK Vlorë
- Polikson Halilaj me detyrë IT i institucionit të ASHK Vlorë
- Adiseldo Rrapaj, përgjegjës sektori në ALUIZNI Vlorë
- Risena Xhaja me detyrë drejtoreshë e ankimeve në drejtorinë e përgjithshme në hipotekën Qëndrore.