Biden: Moment pikëllues/ 500,000 vdekjet nga COVID-19 në SHBA

Presidenti amerikan Joe Biden i ka cilësuar më shumë se 500,000 vdekjet nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara, “moment të zymtë dhe pikëllues”, dhe i ka bërë thirrje vendit që të bashkohet kundër pandemisë.

“U bëj thirrje të gjithë amerikanëve që të kujtojnë – të kujtojnë ata që kemi humbur dhe ata që kemi lënë mbrapa”, ka thënë Biden në një adresim televiziv më 22 shkurt.

“Unë po ashtu u bëj thirrje të veprojnë, të jenë vigjilentë, të mbajnë distancën, të vendosin maskën dhe të vaksinohen kur ta kenë radhën”.

Ai u ka kërkuar amerikanëve që të gëzojnë kujtimin për familjarët e humbur dhe i është referuar përvojës së tij personale në të përballurit me humbje të tilla.

“Për mua, rruga përmes hidhërimit, është gjetja e qëllimit”, ka thënë Biden në një adresim emocional nga Shtëpia e Bardhë.

Ai po ashtu ka thënë se amerikanët duhet të tregojnë vendosmëri për t’iu dhënë fund politikave dhe dezinformimit, që janë duke ndarë familjet.

“Ne duhet ta luftojnë këtë si një person, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.

Biden, në shoqërim të gruas së tij Jill, nënpresidentes Kamala Harris dhe burrit të saj Doug Emhoff, më pas doli jashtë Shtëpisë së Bardhë për të mbajtur një moment heshtjeje para 500 qirinjve që përfaqësonin shifrën e lartë të të vdekurve, derisa bendi ushtarak performonte këngën Amazing Grace.

Më herët, flamujt janë ulur në gjysmë shtizë në Shtëpinë e Bardhë dhe nëpër ndërtesat tjera federale në SHBA, si dhe nëpër ambasada në gjithë botën, si shenjë të përkujtimit të jetëve të viktimave.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar 500,159 viktima me koronavirus deri më 22 shkurt, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Kjo shifër është rreth një e pesta e numrit global të viktimave, që ka arritur në gati 2.5 milionë.

SHBA-ja që ka një popullsi prej 330 milionë banorësh, apo rreth 5 për qind të popullsisë së botës, ka regjistruar numrin më të madh të viktimave.

Ky vend aktualisht po përballet me valën e tretë të pandemisë.

Ndonëse numri i rasteve të reja të infektimit, të të shtruarve të spital dhe i vdekjeve ka rënë në mënyrë dramatike, teksa shkalla e vaksinimit po rritet, zyrtarët shëndetësorë besojnë se pandemisë është larg përfundimit./REL/