Demaskohet komisioneri Lul Hamitaj/ Sistemi i drejtësisë akoma në gjumë

Prokurori në Gjykatën e Apelit Durrës Bujar Hoti ka demaskuar komisionerin Lulzim Hamitaj.

Sipas tij komisioneri Lul Hamitaj është treguar i pasinqertë me atë që ka sjellë në Shqipëri me dokumentacionin e vet, ndërkohë që shkruan se kualifikohej si avokat në Itali, e konkurronte në Shqipëri për prokuror e nuk arrinte të fitonte dot në Shkollën e Magjistraturës.

Ama organet kompetene nuk kanë reaguar dhe as nuk kanë dhënë sqarime apo masa lidhur me historikun dhe pasuritë që ka krijuar Lul Hamitaj.

Analiza e plotë e ish-prokurorit për Komisionerin Lulzim Hamitaj

Nuk e di se përse, duke lexuar një ditë dokumentet e dosjes personale te komisionerit Lulzim Hamitaj dhe karrierës së tij ndër vite, mu kujtua një përrallë e hershme, me titull “Gjysmagjeli”.

Më erdhi  ndërmend aventura e gjysmës së gjelit, që e  bëri te zotin e tij të pasur.

Ndoshta edhe për rrethanat e veçanta të këtij komisioneri, i cili është shkolluar e ka punuar në shtetin Italian dhe vjen pas kaq vitesh, të kontribojë në vendin e tij te origjines.

CV e tij plotësohet me dokumenta të anes profesionale, me rezultatet e arsimimit dhe ushtrimit te profesionit ne Itali dhe njëkohesisht edhe në Shqipëri, por ajo që bie në sy, që dukshem nuk mund ti përgjigjët një realiteti objektiv, janë kapërcimet apo mbushjet në hapësirë midis anës ligjore “De jure” dhe aktivitetit te tij “De facto”.

Sipas dokumentave dhe deklarimeve të tij, punon e jeton në Itali dhe dokumentat  i merr nga Shqiperia për gjëndjen gjyqsore penale dhe aftësite mendore e fizike.

Ai formalisht është në rregull me ligjin, por ç’farë pretendohet te dokumentohet nga deshmia e penalitetit për një person ne nje vend qe ka ardhur rallë apo nuk ka ardhur fare, siç e ka pranuar edhe vetë. (Kam parasysh ketu deklarimet ne komisionin Ad Hoc dhe dokumentat vërtetim i Prokurorisë dhe gjykatës Vlore dhe Dëshmia e penalitetit & raporti mjekoligjor).

Komisioneri Lulzim Hamitaj ka deklaruar se nuk ka aktivitet dhe as kontakte me Shqiperine dhe ne këtë logjike (pavarësisht formalitetit ligjor), naiviteti ne lidhje me dokumentat çfarëdo lloji qofshin ato, nuk tregojnë asnje në raport me detyrimet e parashikuara në ligj. (Rezultatet e verteta të një beteje mund te gjendën më mirë se kudo, tek vendi ku ka ndodhur kjo betejë e jo jashtë saj. Ashtu siç nuk mund të kërkosh virgjërinë në një vend ku nuk jeni ndodhur asnjëherë dhe nuk e keni ushtruar atë aktivitet, por kjo nuk do të thotë se domosdoshmerisht jeni i virgjër).

Duke vlersuar dokumentat ligjore, jam i prirur të besoj se ato tregojnë realitetin në Shqiperi,por nuk di se si është realiteti ne Itali, ku ka punuar dhe jetuar për nje kohë te gjatë komisioneri Lulzim Hamitaj.

Kjo edhe për një fakt tjetër,që nje përfaqesues i ligjit, i cili e njeh mirë atë, bazuar në ligjin mbi të cilin ështe emëruar në detyrën që ushtron, (neni 6/1, pika ”C” te ligjit Nr.84/2016, ”Për vlersimin kalimtar të gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republiken e Shqipërise”), nuk evidentohet, nga nje dokument i vetëm apo disa prej tyre, që ai nuk ka asnjë detyrim në ushtrimin e aktivitetit të avokatit në Itali.

Komisioneri Lulzim Hamitaj, duhej te ishte me modest me veten por edhe me ligjin, pasi duke deklaruar sukseset e tija ne Itali, Spanje e Shqiperi, duhet te ndjente si detyrim për te deklaruar edhe dështimet.

Ka deklaruar se: ”Në Itali ka marrë titullin“Master”, si dhe është regjistruar në “Doktoraturë”, por çuditërisht ka harruar te deklarojë, se në të  njëjtën kohë, ka konkuruar në shkollën e Magjistraturës në Tiranë, për Prokuror, por nuk ka fituar të drejtën për të  vazhduar shkollën, në dy raste në vitet 2015 dhe 2016.

Komisioneri Lulzim Hamitaj ka deklaruar para komisionit Ad Hoc se: ”Nuk ka lidhje me Shqiperinë, përsa i përket profesionit të avokatit, nuk e ka ushtruar atë, për të mos u implikuar me drejtësinë këtu, për ta ruajtur të pastër figuren dhe për të qënë objektiv”, por nuk ka deklaruar apo evidentuar, se sa shqiptarë ka mbrojtur si avokat vetë, apo si studio, në Itali.

Sa prej tyre e kanë vazhduar procedurën me shtetin e tyre, Shqiperinë, me njohje të vëndimit penal të huaj apo me transferim, të cilët edhe janë gjykuar në vendin e tonë. Kjo edhe për një shkak ligjor, (integritetit), pasi komisioneri mund të jetë ne konflikt interesi me gjyqtar dhe prokuror që i kane gjykuar këto çeshtje ne Shqiperi. Gjithmonë për personat që janë marrë në mbrojtje nga Komisioneri Lulzim Hamitaj apo studio ku ai ka ushtruar profesionin, që aktualisht mund të jenë në proces rivlersimi. Ky raport nuk dihet dhe nuk mund të dihet nga mungesa e informacionit, i cili duhej dhe mund te ishte dhënë nga Komisioneri, për të qënë sa me bindës dhe në zbatim te ligjit “Për konfliktin e Interesit”. Konflikt i cili rrjedh nga parashikimet e nenit 14 te ligjit Nr.7827,date 31.05.1994, ”Për Avokatinë në Republiken e Shqiperisë”. (Nese zyra është ne konflikt edhe një avokat, si pjesë e saj është në konfliktit, nga i burojnë interesat).

Të ardhurat e komisionerit Lulzim Hamitajt, janë të konsiderueshme, të deklaruara dhe nga vetë ai, se: ”Eshtë i kënaqur me to, si të ardhura te siguruara kryesisht nga aktiviteti  si avokat ne Itali dhe Spanje”, por për të dy këto shtete ku ka realizuar kryesisht të ardhura, nuk ka dokumentacion shterrues.

Nuk kemi dyshime për të ardhurat dhe mënyrën fitimit të tyre, në Itali dhe Spanjë, por kemi të drejtë të bëjme prezent faktin e moszbatimit të ligjit në Shqipëri. Aktiviteti në Itali dhe në Spanjë bëhet bindes, kur rrespektohet ligji, siç eshte nje pjese e procedures edhe  vetdeklarimi një nga detyrimet ligjore për aplikantët. Nga ana e aplikantit Lulzim Hamitaj, nuk është plotësuar dhe dorëzuar formulari i “Vetdeklarimit”, bazuar në ligjin Nr,138/vitit 2015, ”Për garantimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohet ose ushtrojnë funksione publike”. Nje juristi i këtij niveli, nuk i falet një shkelje e tillë ligjore, mungesa e të cilit është shkak për tu skualifikuar.

Unë në përgjithësi jam i prirur t’iu besoj rastësive, pasi jo vetëm që nuk është penalizuar por dhe me këtë mangësi thelbësore, është kualifikuar. Me sa duket fati ka qenë me të gjitha palët.

Ndër pohimet e komisionerit Lulzim Hamitaj para komisionit Ad Hoc, (procesverbali datës 02.06.2017), veç të tjerave,citohet se: ”Jam figurë e pa përzier ne Shqiperi dhe jamë larguar ne Itali, ne vitet 1991-1992”.

Diçka që të bën përshtypje në këto deklarime është fakti se aplikanti mban mend vitin e largët kur ka shkuar në Itali dhe nuk mban mënd vitin e afërt 2015, kur ka ardhur në Shqipëri dhe ka konkuruar në Shkollën e Magjistraturës. Pra, ai tregon gradat që ka përfituar në Itali, por në të njejtën kohë harron të deklarojë gradat që i janë mohuar.

Komisioneri Lulzim Hamitaj,në komisionin Ad Hoc citon se: “Dy vjet me parë, kur jehona edhe pse e zbehte e kësaj reforme, erdhi deri në Itali”.

Mbresat e para, komisioneri Lulzim Hamitaj, për Reformën në Drejtësi, i ka marrë nga  “Jehona”,që kishte mbërritur ne Itali, tek i cili ka ndikuar për tu kthyer në Shqiperi, ku ka ushtruar detyrën e lektorit në Fakultetin e Drejtësisë  nëTiranë.

Me sa kuptohet, kontakti i drejtëpërdrejtë në Shqipëri i komisionerit Lulzim Hamitajt, nuk ka krijuar ndonjë ndikim, për reformën, krahasuar me jehonën që kishte ardhur në Itali. Ky me sa duket është dhe shkaku, që në rrëfimet për reformën, ai i referohet jehohës dhe jo kontakteve të drejpërdrejta që ka marrë kur ka ardhur ne Shqiperi. Kjo edhe për një fakt tjetër që ai erdhi për reformën, por ndryshoi mendim në Shqipëri. Ai nuk u muarr fillimisht me reformën por konkuroi, në Shkollën e Magjistraturës, për prokuror.

Komisioneri Lulzim Hamitaj, si një përsonalitet i kompletuar në Itali, (jo vetëm nga ana  profesionale), i kishte vënë qellim vetes që aftësitë e fitura, ti verë në shërbim të vëndit të tij, duke kontribuar në Reformën në Drejtësi, siç dhe e ka deklaruar këtë pikësynim dhe në komisionin Ad Hoc. Megjithëse i kompletuar, por me një ambicje të admirueshme, ai ka kuptuar se duhej te ishte dhe më tepër kërkues ndaj vetvetes, në anën e tij profesionale dhe për këtë ka dhënë dhe provime në shtetin Shqiptar, për provimin e avokatisë dhe atë të gjuhes Angleze.

Në Itali Lulzim Hamitaj, ka qëndruar në pritje prej 25 vjetësh, duke e patur Shqipërine nën monitorim me parandjenjën fikse, se një ditë vendi i tij i dashur Shqiperia, do të kishte  nevojë për të, apo të njejtët si ai. Jo vetëm aktiviteti profesional i Lulzim Hamitajt është  një armë e  fortë e tij  ne garancine për të bërë reformë, por ai  ka dhe një  armë tjetër po aq të  fortë, të cilën e ka deklaruar dhe para komisionit Parlamentar, se nuk e ka sjellë nevoja ekonomike për të konkuruar, pasi finaciarisht është  mirë, të ardhura nga aktiviteti si Avokat në Itali e Spanjë.

Parandjenja, nuk ishte e gabuar, për shqiptarin Lulzim Hamitaj, i cili u diplomua ne Itali, u titullua Avokat në shtetet Itali, Spanje e Shqiperi, që u prezantua në stadin e studentit në Shqiperi, duke tentuar dy herë te bëhej Prokuror, një ditë të bukur e pa vetën ne pozicionin e Anëtarit të Gjykatës së Lartë.

Një gjë të bën përshtypje, si një përson publik, për kohën e gjatë që ka qëndruar në Itali, në marrëdhenie pune tashmë të njohura, si dhe duke kontribuar në pagesat e taksave dhe tatimeve, nuk ka aplikuar të marrë shtetësinë Italiane. Lidhet me ndjenjën kombëtare, apo ështe ndjerë komod..? !

Kjo me pak fjale, ështe Odiseja e Lulzim Hamitajt, e cila ngjan me përrallën e gjysmagjelit, që sipas jetëshkrimin të tij, si një mozaik, është i formuar me pjesë nga Italia dhe nga Shqipëria.

Nga ana figurative, kjo histori mund të simbolizohet me nje urë, që kalon mbi detin “Adriatik”, ku njëra këmbë është në Shqipëri dhe këmba tjetër në Itali, duke kryer funksionin për të cilën është ndërtuar.

Ajo që na tundon dhe nuk jemi të vendosur, është fakti se, nuk dimë se si ti lutemi ZOTIT, që ura të ketë apo të mos e ketë fatin e gjelit të përrallës.

Durrës,me  20 Dhjetor 2020.

Subjekti I Rivlerësimit

Bujar Hoti