Dosja/ Gjyqtarja e skandaleve Pajtime Fetahu drejt shkarkimit, Vetingu u kërkon llogari prokurorëve pse i kanë mbyllur dosjet për falsifikim vendimesh dhe vjedhje të 69 hektarë tokë

Komisioni i Vetingut i kërkoi llogari prokurores Enkelejda Millonai pse i mbylli një dosje skandali gjyqtares Pajtime Fetahu pasi kishte marrë dy vendime duke grabitur 69 hektarë tokë. Fetahu u kap në flagrancë edhe duke kërkuar ryshfet, por i shpëtoi ndëshkimit dhe u rikthye sërish në gjykatë pas pezullimit nga KLD. Gjyqtarja ka kërcënuar edhe gazetarët që kanë raportuar mbi aferat e saj. Së fundmi është shfaqur duke festuar në lokalin e bosit të krimit dhe drogës Suel Çela, të cilit më parë i kishte mbyllur një dosje për vrasje. ILD-ja hesht.

Gjyqtarja e skandaleve të panumërta në Elbasan, Pajtime Fetahu, i ka ditët e numëruara në drejtësi. Gjyqtarja Fetahu, e cila tre ditë më parë u shfaq në një video teksa festonte në lokalin e bosit të krimit Suel Çela, të cilit më parë i kishte mbyllur një dosje për vrasje, po hetohet nga organet e Vetingut që në dhjetor të vitit 2020. Është shpejt për të pasur një datë se kur Pajtime Fetahu do të thirret për t’u njohur me dosjen, por gjyqtarja është bërë objekt hetimi dhe debatesh në organet e Vetingut, gjatë rivlerësimit të prokurorëve që i kanë mbyllur dosjet e aferave për falsifikim vendimesh, grabitje pronash si dhe denoncimet e shumta për korrupsion. Kaq flagrante dhe të rënda janë skandalet e Pajtime Fetahut në Gjykatën e Elbasanit sa që dosjet e saj kanë rrezikuar shkarkimin e prokurove që e kanë hetuar.

Në qershor të vitit 2019, Komisioni i Vetingut konfirmoi në detyrë Enkelejda Millonai, drejtuesen e Prokurorisë Elbasan. E vetmja çështje që rrezikoi Enkelejda Millonai dhe dominoi procesin e verifikimit të saj, ishte një dosje e Pajtime Fetahut për falsifikim vendimesh, me pasojë grabitjen e 69 hektarëve tokë. Është një rast i pazakontë që një gjyqtare si Pajtime Fetahu bëhet objekt hetimesh dhe diskutimesh, jo për Vetingun e saj, por për atë të prokurores që i kishte mbyllur dosjen. Dafine Peci, një zonjë nga fshati Gjinar në Elbasan denoncoi Pajtime Fetahun se kishte marrë dy vendime identike me sipërfaqe të ndryshme për pronën e saj. Në një nga vendimet prona e njohur është 314 hektarë e katër dynym dhe në tjetrin 383 hektarë e katër dynym. Denoncuesja pretendonte se vendimi me sipërfaqe më të madhe është i falsifikuar.

Dosja është mbyllur nga prokurorja Millonai në vitin 2012. Komisioni i Vetingut arriti në konkluzionin se dosja e skandalit të Pajtime Fetahut është mbyllur në kundërshtim me ligjin dhe madje gjyqtarja as nuk është marrë në pyetje. Në vendimin e Komisionit të Vetingut thuhet se “Nisur nga fakti se hetimi penal shtrihej dhe ndaj një gjyqtareje të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, znj. P.F. (Pajtime Fetahu), dukej se nga subjekti, gjatë fazës së vlerësimit të kallëzimit dhe të hetimit të kryer, nuk është mbajtur parasysh dispozita e nenit 78 të Kodit të Procedurës Penale. Bazuar në vendimin e pushimit rezultoi në dukje se nga subjekti nuk janë ndjekur të gjitha hapat dhe veprimet e nevojshme për këtë çështje, nuk janë pyetur personat që kanë hartuar dhe nënshkruar dy vendimet për të cilët njëri nga këto rezultonte i falsifikuar, si dhe një sërë veprimesh të tjera procedurale që do të çonin në përfundimin e plotë të hetimeve. Nuk rezultoi të jetë pyetur as personi kryesor i kësaj çështjeje, që është gjyqtarja e çështjes, për të konfirmuar dhe për të provuar vendimin e saktë gjyqësor të dhënë dhe të zbardhur nga kjo gjyqtare”.

Prokuroja Millonai ka dhënë versionin e saj se pse shpëtoi nga ndëshkimi gjyqtarja Fetahu, edhe pse njëri nga vendimet ishte falsifikuar. “Kallëzimi nuk i është atribuuar gjyqtares P. F., por flet për falsifikime të kryera për pronat e përfituara me të padrejtë nga shtetasi P. T., dhe se kërkon zbardhjen e ngjarjes, mbi ekzistencën e dy vendimeve gjyqësore me të njëjtin numër dhe datë, por në të cilat, në pjesën e dispozitivit, ndryshonte vendimi… Nga këto verifikime arrita në bindjen se i falsifikuar ishte vendimi tjetër me sipërfaqe më të vogël prone. Hetimet nuk mund të shtyheshin përpara, pasi ekspertimi ligjor i dokumentit me 314 ha nuk qe i mundur, duke qenë se ishte vetëm fotokopje dhe i panjësuar me origjinalin”, ka shpjeguar Millonai.

Lidhur me mungesën e marrjes në pyetje të Pajtime Fetahut, prokurorja tha se gjatë kohës së ushtrimit të ndjekjes penale ka menduar dhe vlerësuar se në mungesë të vendimit në origjinal gjyqësor me sipërfaqe më të vogël dhe mospërputhjes së tij me të dhënat që gjendeshin në dosje, nuk do të më ofrohej ndonjë e dhënë me interes për hetimin. Komisioni i Vetingut, duke mos gjetur asnjë problemet tjetër në veprimtarinë e prokurores, vendosi ta konfirmonte në detyrë. Por, dosja e falsifikimit të vendimeve është vetëm një nga skandalet e Pajtime Fetahut.

Në vitin 2017, ajo u kap në flagrancë nga kamerat e një emisioni televiziv, ku gjatë një bisede me një efektiv policie, kërkonte 2 mijë euro për lirimin e një të burgosuri me emrin Kristjan Leka. Menjëherë pas transmetimit të filmimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet, ndërkohë që urdhëroi dhe arrestimin e dy sekserëve, shtetasve Enver Disha punonjës policie dhe edhe ish-oficeri i burgjeve Behar Kola që bënte edhe rolin e sekserit për gjyqtarët dhe prokurorët. Fetahu u pezullua nga detyra me vendim të KLD-së. Megjithatë, Pajtime Fetahu arriti t’i shpëtonte ndëshkimit dhe të rikthehej një vit më pas sërish në gjykatën e Elbasanit.

Pasi u kap në flagrancë, Pajtime Fetahu e justifikoi kështu aferën: “Lidhur me shprehjen e përdorur nga ana ime “predispozicioni pozitiv”, arma e vetme që përdori ky emision kundë r figurës sime, dua të sqaroj se: për shkak të infrastukurës së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, informacionin palët dhe familjarët e tyre e marrin në zyrën e çdo gjyqtari. Duke qenë se çështja kishte zgjatur në hetim dhe ishte shtyrë disa herë për shkak të mungesës së prokurores, kam përdorur këtë shprehje për të thënë se çështja nuk do të zvarritej më, por do të përfundonte brenda afateve ligjore, shkak për të cilin kam përdorur dhe shprehjen “me predispozicionin për të përfunduar gjykimin”. Detyra jonë është të mos e vonojmë dhënien e drejtësisë dhe të mos i zvarritim gjykimet. Pikërisht për këtë arsye kam përdorur shprehjen “predispozicion pozitiv”.

E ekspozuar në krah të krimit dhe mafies në Elbasan, Pajtime Fetahu është përfshirë edhe në shantazhe dhe kërcënime ndaj gazetarëve, të cilët kanë raportuar rreth aktivitetit të saj. “Ne dënojmë presionin që i bëhet hapur një gazetari, vetëm pse bën detyrën, në denoncimin e një akti korruptiv të një gjyqtareje”, ka qenë një nga reagimet e shoqatës së gazetarëve. Megjithatë, në mungesë të veprimit të drejtësisë dhe e mbështetur nga krimi në Elbasan, gjyqtarja Pajtime Fetahu nuk ndalet. Ditët e fundit është publikuar një video e rëndë dhe diskredituese për drejtësinë, ku gjyqtarja Pajtime Fetahu shfaqet duke festuar një lokalin e Suel Çelës, një personazh i njohur i botës së krimit, subjekt i OFL dhe i drejtësisë. Në 22 janar të vitit 2008, Pajtime Fetahu ka marrë pjesë në mbylljen e një dosje me të pandehur pikërisht Suel Çelën, i akuzuar nga prokuroria për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake. Tre ditë pas publikimit të videos, nuk ka asnjë reagim nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, institucion që paguhet për ruajtjen e integritetit të gjyqtarëve.