Parku fotovoltaik i Spitallës do të ndërtohet nga kompania franceze “Voltalia”. Fituesi i garës për këtë investim të rëndësishëm në vend, është shpallur mesditën e sotme.
Voltalia dha ofertën më të ulët për megavat dhe detyrimisht u shpall fituese, ndërsa në garë ishte dhe kompania tjetër “Universe Energy”. Kompania franceze dha ofertën 29.89 euro për megavat, kurse kompania kineze dha çmimin 46 euro për megavat.
Në ceremoninë e shpalljes së fituesit ishte dhe ministrja Belinda Balluku.
“Dua të përgëzoj “Voltalia” për çmimin surprizues, duke qenë se ky park ishte më i vogël nga parku i parë, prisnim çmim më të lartë të gjithë bashkë, kështu që kemi shënuar një çmim tjetër rekord, pra 70 megavat që do të blihen me 29.89 euro për 15 vitet e ardhshme ashtu siç e ka parashikuar edhe ligji. Diversifikimi i burimeve të rinovueshme, me një vend që prodhon 99% energji të rinovueshme, është hapi më i rëndësishëm”, tha ministrja.
Ky park me energji diellore do të prodhojë 100 megavat ku 70 megavat do të blihet nga shteti dhe 30 megavat mund të shiten në treg të lirë nga privati, dhe do të jetë i dyti në vend pas atij të Karavastasë që ka një fuqi prodhimi prej 140 megavatesh.
Kujtojmë se shpallja fituese e kompanisë franceze vjen vetëm dy ditë pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Paris, ku u takua me presidentin Emmanuel Macron.