Dy muaj protestë, banorët në Lumas përplasen me Policinë për ujin: Ik bëj shurrën andej…

Banorët e Lumasit edhe ditën e sotme kanë vijuar protestën e tyre për të penguar mjetet e firmës kontraktuese për ndërtimin e ujësjellësit, ku nuk kanë munguar as përplasjet me policinë.

Mes tyre gra e burra kanë kundërshtuar me forcë që mjetet të vazhdojnë punën dhe i kanë bërë thirrje kryeministrit, Edi Rama që të marrë masa.

Qytetarët e revoltuar kanë thënë se do i drejtohen Ambasads Amerikane pasi nuk e dinë çfarë do të ndodhë me ta.

“Do i bëjmë letër Ambasadës Amerikane, nuk dimë fare se çfarë do të bëhet. Janë disa hektarë tokë që vaditen sot me këtë ujë. I thash policit a kemi të drejtë apo jo?  Ik bëj shurrën andej më tha polici i shtetit”, tha qytetari.

Banorët e fshatit Lumas protestojnë prej rreth 2 muajsh për burimin e ujit të Sinecit. Ata prej disa javësh kanë bllokuar rrugët e fshatit për të penguar mjetet e firmës kontraktuese për ndërtimin e ujësjellësit.

Banorët janë në proces gjyqësor me bashkinë Kuçovë dhe kërkojnë që punimet të pezullohen deri në marrjen e një vendimi nga ana e gjykatës.