“Niçja i Shijakut” kallëzon për “Shpërdorim detyre” gjyqtaren speciale, thotë se ka mbajtur me forcë çështjen e tij

Altin Avdyli, i arrestuar në kuadër të “Dosjes 339” kallëzon për “Shpërdorim detyre” Saida Dollanin, gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Shkalla e Parë e ka dënuar Avdylin me 6.8 vite burg.

Sipas “Niçes së Shijakut”, gjyqtarja speciale Saida Dollani që është dhe relatore e çështjes së tij, e ka mbajtur me forcë këtë pozicion, ndaj ai e akuzon atë për “Shpërdorim detyre” dhe kërkon që ajo të përjashtohet nga shqyrtimi i kërkesë së tij për të dalë nga qelia.

Kujtojmë që Altin Avdyli u arrestua si pjesë e dosjes “339”, gjatë operacionit “Volvo 4” për laboratorin e kokainës që u gjet në Brenogë të Hasit. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”dhe “krijimi i lehtësirave për marrjen dhe përdorimin e drogës”.

Për këto akuza ai është dënuar me 6.8 vite burg si dhe i është konfiskuar pasuria, ndërsa kërkon që të dalë nga qelia.

Edhe më herët, “Niçja i Shijakut” ka kërkuar përjashtimin nga çështja e tij të Daniela Shirkës, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Posaçme te Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.