Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite burg ish-kryeprokurorin, Adriatik Llalla për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Ish-kryeprokurori Llalla është zyrtari më i lartë që dënohet me burg nga organet e drejtësisë së re. GJKKO, përveç dënimit me burg, ka vendosur që Llallës t’i hiqet për 5 vite e drejta për të ushtruar funksione publike.
Po ashtu, Gjykata vendosi edhe konfiskim të pasurive, gati 22 mijë metra katror truall dhe një apartament në Durrës. Gjithsesi, duhet të pritet verdikti i Apelit për të parë nëse zoti Llalla do të futet pas hekurave për të vuajtur dënimin.