E fundit/ Shkarkohet nga detyra gjyqtarja Enkelejda Hoxha 

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha është shkarkuar nga detyra. Mësohet se Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar kërkesën e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë duke shkarkuar kështu Hoxhën nga detyra. Vendimi është marrë para pak minutash në mbledhjen e KLGJ-së dhe është dhënë nga komunikuar nga kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami.

Sipas njoftimit të KLGJ-së, Inspektori i Lartë i Drejtësisë me në krye Artur Metanin, kishte argumentuar shkeljet disiplinore të magjistrates, si mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit; veprime që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët, mosrespektim të rëndë e të vazhduar të legjislacionit material e procedural penal dhe nxjerrje të akteve të paarsyetuara.

Hoxha është magjistratja e dytë për të cilën KLGJ ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkim nga detyra, për shkelje të rënda disiplinore lidhur me lirimet para kohe me kusht dhe e treta magjistrate e shkarkuar nga KLGJ pas një hetimi disiplinor të ILD-së.

Njoftimi i KLGJ-së:

Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masën disiplinore shkarkim nga detyra për magjistraten E.H., gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Kryetarja Naureda Llagami njoftoi vendimin, sipas të cilit KLGJ, vendosi shkarkimin nga detyra të magjistrates gjyqtare. Në seancën e paraqitjes së përfundimeve mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani kishte argumentuar shkeljet disiplinore të magjistrates, si mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit; veprime që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët, mosrespektim të rëndë e të vazhduar të legjislacionit material e procedural penal dhe nxjerrje të akteve (vendimeve) të paarsyetuara.

E.H. është magjistratja e dytë për të cilën KLGJ ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkim nga detyra, për shkelje të rënda disiplinore lidhur me lirimet para kohe me kusht dhe e treta magjistrate e shkarkuar nga KLGJ pas një hetimi disiplinor të ILD-së. Prej marrjes së detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndarë shqetësimin publik për vendimmarrjet dhe veprimtarinë e institucioneve të tjera, lidhur me lirimet para kohe me kusht, duke përcaktuar si prioritet fillimin e inspektimit të ILD-së, pikërisht këtë fenomen. Pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë vijon verifikimi për vendimmarrje të ngjashme bazuar në procesin e inspektimit tematik në gjykatat e prokuroritë e vendit.

Hoxha ndodhet në burg që prej 11 shkurtit, bashkë me 9 persona të tjerë, në kuadër të një operacioni të mirëorganizuar nga SPAK, pasi ishte vënë në përgjim prej muajsh. Pikërisht më 11 shkurt, Hoxha, me skemën e përgatitur me ndihmën e bashkëpunëtorëve të saj, do të lironte të dënuarin për vrasje, Saimir Petani.

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha akuzohet se ka marrë shuma nga 6 mijë deri në 12 mijë euro në këmbim të lirimit të të dënuarve për vrasje. Në skemë u zbulua edhe mjeku kardiolog Edvin Prifti pasi nga përgjimet rezultoi se kishte marrë ryshfet për të operuar në QSUT nënën e sekretares së gjykatës, Manuela Mallkuçi, por ai u la i lire në seancën e Apelit më 2 mars.