Gjatë dy ditëve të fundit në vendin tonë janë ndëshkuar me masë administrative 908 qytetarë pasi kanë shkelur masat anti-Covid.
892 qytetarë janë konstatuar pa maska mbrojtëse dhe janë gjobitur me 3000 leke secili. Ndërkohë 10 të tjerët nuk kanë pranuar t’i tregojnë policisë mjetet e identifikimit, të cilët pasi e kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me 3000 lekë gjobë secili.
Ndërkaq 3 biznese që ushtronin aktivitetin e tyre në kundërshtim të protokollit të sigurisë janë gjobitur me nga 1 milion lekë secili.
Njoftimi i policisë:
Kontrolle të vazhdueshme në të gjithë vendin, për monitorimin e zbatimit të masave anticovid.
Gjatë 48 orëve të fundit, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 908 shtetas që nuk i kanë zbatuar këto masa.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 48 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 892 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 3 subjekte që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 13 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndalimit të lëvizjes, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.
Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, Policia apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat anticovid.