TIRANË- Pas vendimit të Gjykatës, e cila dënoi me 4 vite burg Behar Pemën, i cili i dehur në timon goditi makinën e 4 vajzave të reja, duke i marrë jetën Lusinda Garunja dhe Zheneta Qellia, ka reaguar e ëma e njërës prej viktimave.
“Më 13 shtator në ditëlindjen tënde Lusi, fryma e jeta jeme, ta morën jetën padrejtësisht… në një ditë kur si çdo e re don me e gëzu, ti më erdhe e pajetë e veshun si nuse, ashtu si çdo nane don me e pa bijën e vet, por ne arkivolin e ftoftë…
E dje ty e shoqen tande Xheni të vranë për së dyti… ia lamë në dorë drejtësisë e nuk kërkume vetëgjygjësi, e jeta dy vajzave të vdekuna dhe e dy të tjerave që shpëtune nga dora e Zotit vlejti vetëm 4 vite dënim për autorin… Si mundet me ndodh e si nuk përmbyset kjo botë…. Edhe sa gjame duhet me ndodhë që i papërgjegjshmi me marrë dënimin e meritum e mos me e psu edhe shum familje të tjera dhimbjen tonë”, shkruan nëna.