Gjykata Speciale jep masën e sigurisë për dy vëllezërit Çala

Gjykata Speciale ka rikonfirmuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për dy vëllezërit Eldi dhe Klement Çala, të arrestuar tre ditë më parë. Ata akuzohen për grabitjen në aeroportin e Rinasit me 9 prill të vitit të shkuar.

Vëllezërit elbasanas u arrestuan në një shtëpi me qira mëngjesin e së enjtes në një vilë në Qerret të Kavajës, ndërsa vendimi i kësaj të shtune është konfirmim i masës së sigurisë së dhënë më parë në mungesë menjëherë pas shpalljes në kërkim si autor të dyshuar. Vendimi i kësaj të shtune ishte konfirmim i masës së sigurisë së një viti më parë kur u dha masa e sigurisë arrest me burg në mungesë në momentin që u shpallën si të dyshuar për grabitjen e bujshme të 4.6 milion eurove në Rinas.

Burime policore thanë për gazetën “SOT”, se në vilën ku u kapën dy vëllezërit janë gjetur dhe një sasi e konsiderueshme eurosh.

Rreth 150 mijë euro u gjetën në vilën në Qerret ku fshiheshin dy të rinjtë nga Elbasani. Paratë dyshohet se janë ato që u grabitën në Rinas. Policia vazhdon kontrollet në zonë pasi ka dyshime se aty fshihen dhe sasi të tjera parash që u vodhën në 9 prill të vitit 2019 në Rinas. Në operacionin për arrestimin e dy vëllezërve u përfshinë rreth 300 forca policore. “Vëllezërit janë të akuzuar për një sërë grabitjesh më armë dhe dhunë në zonën e Rinasit dhe në aeroportin e Rinasit”, informoi policia e shtetit. Operacioni u krye nga Departamenti i Policisë Kriminale, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, njësia speciale FAST Albania, RENEA dhe Drejtoritë Vendore te Policisë Durrës, Tiranë e Elbasan.