Konflikti i përshkallëzuar midis Turqisë dhe Greqisë në Mesdheun Lindor, bazuar mbi një mosmarrëveshje të vjetër mbi kufirin detar, është duke u shndërruar në një makth gjeopolitik për NATO-n dhe Bashkimin Evropian.
Më 21 shkurt, Franca dërgoi aeroplanmbajtësen e saj bërthamorë për të patrulluar për disa muaj në Mesdheun Lindor, si një shfaqje e forcës në mbështetje të Greqisë. Athina, e zhgënjyer me shumë prej partnerëve të saj të tjerë të BE-së për shkak të qasjes së tyre “pajtuese” ndaj Turqisë, ka mobilizuar një nivel të paparë mbështetje ushtarake nga Egjipti, Izraeli, Arabia Saudite, dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Një Turqi, që mban 30.000 trupa në veri të pjesës së ndarë sipas linjave etnike të Qipros, po këmbëngul tani që vendi anëtar i BE-së të ndahet për të krijuar një shtet të pavarur turk. Konflikti është serioz, po ndodh në mesin e Evropës, dhe po e zbeh solidaritetin mes vendeve të NATO-s.
Brukseli dhe Uashingtoni duhet të tërheqin sa më parë një vijë kufitare mes Ankarasë dhe Athinës, për t’i dhënë fund para se të jetë tepër vonë mosmarrëveshjes së tyre. Po ku?
Një nga problemet për Turqinë është e ashtuquajtura e Harta e Seviljes mbi kufijtë e detarë të Mesdheut Lindor.
E emërtuar sipas një harte të porositur nga BE tek Universiteti spanjoll i Seviljes, ajo ofroi kufijtë më maksimalë të mundshëm për Greqinë dhe Qipron në kurriz të Turqisë, duke përdorur vijën bregdetare të çdo ishulli grek të banuar, pavarësisht vogëlsisë së tij apo edhe afërsisë nga bregdeti turk.
Veçanërisht i diskutueshëm në këtë hartë ishte përdorimi si referencë i ishullit të Kastellorizo, një ishull shumë i vogël vetëm 1 milje larg bregdetit turk, në përcaktimin e kufirit detar Greqi-Turqi.
Harta e Seviljes e pasuar u bazua në Konventën e OKB-së mbi Ligjin e Detit (UNCLOS), që në nenin 121, përcakton se bregdeti i një ishulli, që mund të “mbështesë jetesën apo jetën ekonomike të njerëzve” gjeneron një shelf kontinental dhe një Zonë Ekskluzive Ekonomike (EEZ), njëlloj si çdo formacion tokësor bregdetar.
Por në të njëjtën kohë, UNCLOS siguron parimin e barazisë, dhe ligji ndërkombëtari bazuar në të krijon edhe mundësinë e shmangies së nenit 121, kur zbatimi i këtij të fundit krijon një shkelje të pajustifikuar në zonën e një bregdeti kontinental.
Ankaraja nuk e ka hulumtuar kurrë këtë rrugë për rregullimin e Hartës së Seviljes, pasi ajo nuk është nënshkruese e konventës në fjalë. Në vend të kësaj rruge, Turqia gjeti një partner ndërkombëtar me të cilin do të hartonte hartën e vet.
Në vitin 2019, Ankaraja nënshkroi një marrëveshje për kufirin detar me Libinë, dhe saktësisht me qeverinë e Tripolit, e cila ka krijuar një hartë që përcakton një zonë detare maksimale për Turqinë, duke ia mohuar ishujve grek të drejtën e shelfit kontinental apo të Zonës Ekonomike Ekskluzive.
Marrëveshja ka përcaktuar kufirin vetëm në një segment detar prej 18.6 miljesh midis Turqisë dhe Libisë. Por e projektuar në atë formë, harta e Ankarasë dhe Tripolit, e ndan të gjithë atë zonë detare ekskluzivisht ndërmjet Turqisë dhe Libisë.
Harta e Turqisë do të jetë në çdo rrethanë e pavlefshme, përderisa 3.219 milje katror det pranë ishullit të Kretës, pikërisht në mesin e asaj zone detare do të gjenerojë pa dyshim një Zonë Ekonomike Ekskluzive për Greqinë.
Përplasja midis këtyre 2 hartave, e ka vendosur Mesdhenun Lindor në syrin e një stuhie gjeopolitike. Si Ankaraja ashtu edhe Athina duhet që të tërhiqen nga kërkesat e tyre maksimaliste. Nëse e bëjnë këtë, progresi në zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje, mund të shënojë edhe rifillimin e negociatave të bllokuara për ribashkimin e ishullit të Qipros. Por në qoftë se ato nuk e bëjnë këtë gjë, një krizë e përshkallëzuar mund të pllakosë gjithë rajonin.
Për të kuptuar se si mund të caktohen kufijtë në fjalë, të dyja palët duhet të shohin sesi u zgjidh një mosmarrëveshje e ngjashme mes Bangladeshit dhe Mianmarit. Edhe pse Gjiri i Bengalit mund të duket tepër i largët nga Mesdheu Lindor, që të dyja rajonet detare janë të pasura me rezerva të gazit.
Ishulli i Kastellorizo, përkatësia e të cilit është në thelbin e mosmarrëveshjes Turqi-Greqi, ka shumë ngjashmëri me ishullin e Shën Martinin në Gjirin e Bengalit. Me një sipërfaqe 14 milje katrorë dhe i banuar nga 4000 njerëz, ai është pika gjeografike më jugore e Bangladeshit.
Një destinacion turistik shumë i preferuar për shkak të plazheve koralore, ai ndodhet vetëm 5 milje larg bregdetit të Mianmarit. Ishulli grek i Kastellorizos, është më i vogël se sa ai i Shën Martinit, dhe ndodhet shumë më pranë bregdetit turk.
I bërë shumë popullor për turistët falë filmit italian të vitit 1991 “Mesdheu”, ishulli vetëm 3.6 milje katrorë, banohet nga jo më shumë se 500 njerëz. Por ky ishull është përdorur gjithashtu për të përcaktuar kufijtë detarë shumë pranë brigjeve të Turqisë.
Ndryshe nga rivaliteti në Mesdheun Lindor, Bangladeshi dhe Mianmari e çuan mosmarrëveshjen mes tyre në Gjykatën Ndërkombëtare, e cila në vitin 2012 e hodhi poshtë argumentin e Mianmarit, që përdori një logjikë të ngjashme me hartën e Turqisë. Gjykata përcaktoi se ishulli i Shën Martinit, ishte i banuar dhe përmbante elementët e duhur ekonomikë për jetesën e njerëzve.
Për këtë arsye ky ishull do të gjenerojë një zonë detare prej 5.019 milje katror për Bangladeshit në kurriz të Mianmarit. Duke pasur parasysh se një hapësirë e tillë “do të shkaktonte një shtrembërim të pajustifikuar” të kufirit detar, gjykata iu referua parimit të barazisë, dhe në fund vendosi që ishulli të mos ketë asnjë efekt në përcaktimin e shelfit kontinental apo Zonës Ekonomike Ekskluzive.
Pas këtij precedenti, ishulli i Kastellorizos nuk duhet të përdoret përcaktimin e vijës kufitare detare midis 2 vendeve. Në të njëjtën kohë, neni 121 i UNCLOS mund të zbatohet ende për ishujt më të mëdhenj të Greqisë në rajon. Edhe pse as SHBA-ja dhe as BE-ja nuk mund të caktojnë një vijë kufitare që t’u imponohet Turqisë dhe Greqisë, tensionet në përshkallëzim mes Ankarasë dhe Athinës janë bërë të padurueshme për funksionimin normal të NATO-s dhe unionit.
Pas përplasjes së gushtit të vitit të shkuar mes luftanijeve turke dhe greke në afërsi të Kastellorizo, Këshilli i Evropës dhe BE vendosën një pezullim 3-mujor të aktiviteteve në zonë për të lejuar nisjen e negociatave të ndërmjetësuara nga NATO.
Por nuk ka ende asnjë shenjë të qartë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes detare. Pas rastit të Gjirit të Bengalit, Uashingtoni dhe Brukseli mund të këmbëngulin që negociatat midis Turqisë dhe Greqisë të përfshijnë disa gjykime formale të pranueshme për të dyja palët, por negociatat duhet të nisin duke marrë parasysh këtë rezultat të mundshëm. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al