Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot, më 26.03.2021, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line, në prani të të gjithë anëtarëve si dhe të përfaqësueseve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.
Me propozim të z. Kostaq Beluri dhe me votën e gjashtë anëtarëve, në rendin e ditës u shtua miratimi i tre udhëzimeve të përbashkëta të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”. Për të reflektuar ndryshimet në ligj, është e nevojshme të bëhet përpilimi dhe miratimi i udhëzimeve të përbashkëta. Në shtesa, veç Prokurorit të Përgjithshëm, është shtuar edhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme si autoritet që ka të drejtën e propozimit për pranimin në programin e mbrojtjes së dëshmitareve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Pasi u njoh me relacionin e përgatitur nga Komisioni i Veprimtarisë Etike dhe Profesionale,Këshilli vendosi miratimin e këtyre udhëzimeve, të cilat janë dërguar për t’u nënshkruar nga titullarët e institucioneve përgjegjëse.
Duke iu përmbajtur rendit të ditës, Këshilli vendosi me shumicë votash, tre caktime të përkohshme në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe konkretisht:
Edmond Karriqi caktohet përkohësisht në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kukës;
Znj. Alma Bramocaktohet përkohësisht në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës;
Dritan Gripshi caktohet përkohësisht në pozicionin e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat.
Këshilli miratoi kërkesën për veprimtari jashtë funksionit për prokuroren Ermira Tafani, me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan, e cila kërkon të punojë si pedagogë e jashtme, për lëndën “E drejta proceduriale”, për vitin akademik 2020-2021 pranë universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, me ngarkesë mësimore prej tre leksionesh në javë, me nga 50 minuta secili, për 15 javë, që përbëjnë në total 45 leksione, pas orarit zyrtar.
Gjithashtu, Këshilli miratoi kërkesën për veprimtari jashtë funksionit, për prokurorin z. Kreshnik Ajazi, me detyrë Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan, i cili kërkon të punojë si pedagog i jashtëm (i ftuar), me kohë të pjesshme, për lëndën “E drejta penale e avancuar”, për vitin akademik 2020-2021 pranë Kolegjit Universitar të Biznesit (institucion arsimor jopublik), me ngarkesë mësimore prej 45 (dyzet e pesë) orësh leksione dhe 23 (njëzet e tre) orësh seminare, që përbëjnë në total 68 (gjashtëdhjetë e tetë) leksione,pas orarit zyrtar të punës.
Më 18.03.2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur renditjen e znj. Elizabeta Imeraj, si kandidate e vetme për pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, dhe të z. Kreshnik Ajazi, si kandidat i vetëm për pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan.
Pas kalimit të afatit shtatëditor të parashikuar në nenin 28 të Rregullores “Mbi kriteret dhe procedurat e ngritjes në detyrë në pozicionin e drejtuesit, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”, Këshilli vendosi unanimisht për ngritjen në detyrë të znj. Elizabeta Imeraj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, dhe z. Kreshnik Ajazi në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), me objekt “Mbi caktimin e përkohshëm të një prokurori”, Këshillit të Lartë të Prokurorisë i kërkohet të japë mendim në lidhje me transferimin e përkohshëm të znj. Dorina Bejko, e cila ushtron funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Pogradec (caktuar përkohësisht). Në shkresën e administruar nga Këshilli, Drejtuesi i SPAK thekson fakti se, nga 15 prokurorë që kjo Prokurori ka aktualisht në strukturë, detyrën efektivisht e ushtrojnë vetëm 13 prokurorë, duke e bërë të vështirë përballimin e ngarkesës shumë të madhe që ajo ka aktualisht.
Në këto rrethana, Këshilli vendosi unanimisht dhënien e një opinioni pozitiv për transferimin e përkohshëm të prokurores Dorina Bejko, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Në mënyrë që Këshilli të bëjë të mundur zëvendësimin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Pogradec, transferimi do të bëhet efektiv, jo më herët se data 1 prill 2021.