Në qytetin e Elbasanit, ndotja e ajrit nuk vjen vetëm nga tymi i inceneratorit, ajo është pasqyrim i një ndotjeje më të thellë, ndotjes morale dhe institucionale të një sistemi që lejon individë si Lel Kaja të ngjiten në majat e pushtetit vendor dhe të pasurohen përmes abuzimit të qëllimshëm me paratë publike.
Sot, Lel Kaja është personazh kryesor në hetimet për zhdukjen e mbi 9 milion eurove nga skema e inceneratorëve, por për ata që e njohin historinë e tij në Elbasan, ky nuk është një lajm i ri, është thjesht kulmi i një karriere të gjatë të mbështetur mbi shkelje ligji, korrupsion, dhe zaptim hapësirash publike.
Një rrugëtim mes klientelizmit dhe abuzimit, promovuar me forcë nga ish-kryetari i Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini, Lel Kaja fillimisht u vendos në krye të ndërmarrjes së IVMT-së (Ndërmarrja e Infrastrukturës dhe Mbrojtjes së Territorit), ku gjatë drejtimit të tij janë dokumentuar qindra raste abuzimi, ndërtime pa leje dhe zaptime hapësirash publike që kanë kaluar pa asnjë ndëshkim pasi ai ka perfituar vlera monetare në mënyrë të paligjshme.
Gjatë kësaj kohe, Kaja është akuzuar jo vetëm për moszbatim të ligjit urbanistik, por edhe për favorizim të bizneseve të lidhura me pushtetin, në këmbim të përfitimeve personale.
Pas kësaj, ai u transferua si drejtor i Ujësjellësit të Elbasanit, ku u përfshi sërish në tendera me shkelje flagrante dhe me elementë të pastër klientelizmi.
Por kulmi erdhi me emërimin e tij si administrator i kompanisë “Eco Alb”, ku nën petkun e menaxhimit të mbetjeve, ndërtoi një skemë që sot është nën hetim për përvetësim prej mbi 9 milion eurosh nga fondet publike.
Në mënyrë paradoksale, ndërsa ndodhet nën hetim penal, Lel Kaja ka djegur mbetjet dhe ndotur qytetin për herë të dytë, një akt që përbën shkelje të rëndë ligjore dhe shkatërrim të provave materiale, por që kalon pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet.
Kjo është më shumë se arrogancë, është shfaqje brutale e bindjes se ligji nuk e prek, se sistemi e mbron dhe se qytetarët mund të mbyten në tym, por ai do të vazhdojë të pasurohet në paqe.
Përballë gjithë këtij skandali të stërmadh, Prokuroria, Policia, Inspektoriatet dhe Bashkia Elbasan heshtin.
Qytetarët marrin frymë në ajër të helmuar, ndërsa një emër i njohur për abuzim qëndron ende i lirë dhe aktiv në skenën ekonomike dhe administrative.
Kujt i shërben kjo heshtje? Dhe deri kur një qytet i tërë do të shërbejë si eksperiment për mbeturinat dhe pastrimin e parave?Elbasani meriton më shumë se heshtje.
Lel Kaja nuk është thjesht një individ problematik. Ai është produkti i një sistemi që nxit korrupsionin, e mbron atë me klientelizëm dhe e shpërblen me poste gjithnjë e më të larta. Ai është simboli i përkryer i pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
Drejtësia ka një mundësi, ndoshta të fundit, për të treguar se nuk është e nënshtruar. Hetimet ndaj Lel Kajës duhet jo vetëm të çojnë në ndëshkim penal, por të shërbejnë si sinjal se era e ndotjes, vjedhjes dhe arrogancës nuk do të jetë më era e zakonshme e Elbasanit.
Lel Kaja nuk është një aktor i rastësishëm në këtë skenë. Ai i ka shpëtuar arrestimit prej vitesh, pikërisht falë lidhjeve të ngushta me politikën dhe drejtësinë e vjetër. Por ajo që trondit më shumë sot është se duket se ka ndërtuar ura edhe me drejtësinë e re , ajo që premtoi se do të pastronte korrupsionin dhe do të vinte drejtësi aty ku mungoi për dekada.
SPAK, në vend që të arrestojë një individ të akuzuar për përvetësim të miliona eurove nga buxheti i shtetit, ka zgjedhur të heshtë dhe ta lërë të lirë të djegë provat, të ndotë qytetin dhe të pasurohet më tej.
A është kjo drejtësia që u ndërtua me besimin e qytetarëve dhe me ndihmën e ndërkombëtarëve? Apo jemi ende peng të një sistemi ku matrapazët e pushtetit mbrohen me garanci politike dhe heshtje institucionale?
Informacionet që disponojmë tregojnë se Lel Kaja ka me dhjetëra pasuri të regjistruara në emrin e tij dhe të familjarëve, prona të cilat nuk përputhen as me të ardhurat e deklaruara dhe as me burimet ligjore të të ardhurave.
Së shpejti, do të publikojmë me emër dhe mbiemër, me vendndodhje dhe vlera, pasuritë që ky individ ka akumuluar në mënyrë të dyshimtë gjatë karrierës së tij të lidhur me klientelizmin dhe abuzimin me fondet publike.
Këto pasuri janë pasuri të grabitura nga xhepi i qytetarëve, nga taksat dhe nga projektet që duhet të përmirësonin jetën në qytet, jo të ndërtonin pallate për individë të lidhur me krimin ekonomik.
Elbasani nuk mund të mbulohet më me tymin e korrupsionit. Qytetarët kërkojnë përgjegjësi dhe veprim të menjëhershëm nga SPAK. Nëse drejtësia nuk guxon të ndëshkojë Lel Kajën, atëherë ajo është thjesht një dekor për të mbuluar krimin.