Në një realitet ku qytetarët kanë humbur besimin tek drejtësia, kompanitë ushqimore vendosën të “gjykojnë” ndryshe, duke hedhur në treg ketchup-in me emrin “SPAK”.
Po, nuk është shaka, bëhet fjalë për një produkt real, i cili premton të djegë më shumë se çdo dosje që ka ngecur në sirtarët e institucioneve.
Etiketa është një kryevepër ironie, “Pa konservantë, por me shumë presion publik”, ndërsa slogani kryesor tingëllon kërcënues për çdo mish të pjekur, “Shije që s’të fal, si SPAK-u vetë (kur ka qejf të punojë)”.
Në rrjetet sociale, ketchup-i është bërë viral. Disa shkruajnë, “Ky është i vetmi SPAK që vepron në kohë reale dhe djeg ku duhet, jo në konferenca shtypi”, të tjerë bëjnë humor, “Më mirë ta kesh në frigorifer se në dosje!”
Produkti shoqërohet me slogane të tjera thumbuese si, “Sekuestron mishin, jo pasurinë”, “100% domate vendase, jo offshore” dhe “Për çdo pjatë që ka nevojë për hetim të thelluar”.
Burime pranë kuzhinierëve thonë se së shpejti pritet edhe një “majonezë GJKKO” për të mbuluar shijen e rëndë të drejtësisë që s’ka kripë.
Ndërkohë, SPAK-u zyrtar hesht. Ndoshta janë duke kontrolluar nëse ky produkt ka licencë për hetim gastronomik apo ndoshta po përgatiten për sekuestrimin e frigoriferëve ku ruhet ketchup-i i rrezikshëm.
Në fund të ditës, qytetarët qeshin me ironi, por edhe me një dozë të hidhur realiteti. Sepse kur drejtësia nuk e ka më shijen e së drejtës, populli bën atë që di më mirë, e fut në shishe, i vë një emër ironik… dhe e shet në supermarket!