KLGJ e ILD që shkarkuan gjyqtaren për një video në “Tik-Tok”, nuk po veprojnë për “ujkonjën” e korrupsionit
Qysh në muajin gusht 2020, kjo gjyqtare duhej të kishte dalë në pension, por fijet e zeza në këto dy institucione, në politikë e grupet mafioze po e mbajnë në detyrë, që ajo të vazhdojë të firmosë vendime në favor të vrasësve, trafikantëve, bizneseve dhe zyrtarëve të korruptuar, ndërkohë që prej afro 4 vitesh, pazarxhinjtë dhe miqtë e saj në KPK, nuk po e kalojnë qëllimisht në proçes “Veting”-u deri sa ajo të largohet vetë… pa u ndëshkuar
Para tre ditësh, “infront.org” publikoi një video-audio të datës 16 qershor 2021, ku dukej duke kërcyer e kënduar këngë me tekst ordiner, gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, gjatë një mbrëmjeje tallava te “Living Bar”, në Elbasan.
Skandal, nuk është vetëm cënimi i etikës, që gjyqtarja 62-vjeçare këndonte këngë halabakësh me refren: “Kush na ka inatin/ iu q**të nona ooo, ohoo/ nuk kanë c’na bëjë/ joooo, jooo, ja ku jena”.
Shkelje e rëndë e ligjit për integritetin e drejtësisë, është fakti se gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, ka zgjedhur të relaksohet te lokali “Living-Bar” në pronësi të Endri Copjas e Suel Çelës, kapabanda të shumë krimeve në këtë qytet e trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Skandali thellohet, kur sipas dosjeve gjyqësore, konstatohet se Suel Çela e Endri Çopja, janë gjykuar e favorizuar disa herë nga Pajtime Fetahun.
Nuk duhet harruar as fakti, se gjyqtarja këngëtare tallavaje, ka qenë në lokalin e bosëve të krimit, më 16 qershor 2021, ose vetëm 10 ditë pasi KLGJ shkarkoi kolegen e saj të videove “Tik-Tok”.
Edhe pse skandali i turpshëm, i bërë prej gjyqtares Pajtime Fetahu, është me zë e figurë; ILD e KLGJ nuk po e fillojnë procedurën për shkarkimin e saj dhe dërgimin para drejtësisë.
Heshtja ndaj rastit të kësaj gjyqtareje, “bie erë” lidhje interesash me shefat e ILD e KLD; ose ata janë udhëruar nga krerë të politikës e pse jo mund të jenë kërcënuar nga grupet e krimit, pronarë të klubit ku gjyqtarja relaksohej me tallava, të cilëve u ka shërbyer disa herë me mbyllje dosjesh.
Kujtojmë, se video-ahengu i gjyqtares Pajtime Fetahu, te klubi i bosëve të krimit në Elbasan më 16 qershor 2012; është vazhdim i video-ryshfetit për të dënuarin “Klodian Leka” me vlerë 3500 në muajin shkurt 2017, kur kjo u pezullua me Urdhër Nr. 85/6 e u procedua nga Krimet e Rënda.
Por, Pajtime Fetahu e mbylli shumë lehtë këtë dosje penale te Krimet e Rënda, ku iu fshinë provat; siç ajo mbyll dosjet në Gjykatën e Elbasanit, sikur të mos kishte asgjë.
Dhe çudia, është se vetë KLD që e shkarkoi dhe e çoi për ndjekje penale; pas 15 muajsh, me një mbledhje të drejtuar nga Ilir Meta po në KLD dhe me propozim të Gjin Gjonit, më 7 maj 2018 e riktheu në detyrë duke u dhënë dhe 15 pagat e kohës së shkarkimit.
Edhe katër fakte, që ndoshta shërbejnë si prova bindëse për ILD e KLGJ:
– Në 5 inspektimet që i janë bërë gjyqtares Pajtime Fetahu, rezultojnë 262 dosje me shkelje të rënda në procese gjykimi e vendime të njëanshme, 175 prej të cilave janë dosje penale.
– Në KPK-Veting, për gjyqtaren Pajtime Fetahu, janë depozituar 87 denoncime për favorizim personash e grupe kriminale, bërë në dosje për vrasje, plagosje, pengmarrje, gjobë-vënie, grabitje, korrupsion e cënim drejtësie në prona.
– Sipas ligjit, gjyqtarja, duhej të kishte dalë në pension pleqërie qysh më 8 gusht 2020.
– Në vendimet gjyqësore dhe shkresat e KLGJ, ajo e shkruan mbiemrin “Fetahu”, ndërsa në formular e ka deklaruar “Fetah”; siç e ka burri “Resul Fetah” dhe dy fëmijët; djali me biznese, ndërsa vajza me punë të tretë shteti, pedagoge në Universitetin e Elbasanit. Pse?
Por, për KLGJ e ILD, nuk përbën as shkelje etike, kjo video ku gjyqtarja duket duke bërë aheng te klubi “Living-Bar” i bosëve të krimit, jo para 10 vitesh por para 10 ditësh.