INSTAT: Në 2020-n humbën jetën rreth 5,700 persona më shumë se vitin e mëparshëm

INSTAT ka lajmëruar se viti 2020 ka pasur një rritje të frikshme të personave të vdekur. Në raport me mesataren pesëvjeçare 2015-2019, rritja e vdekshmërisë është e ngjashme, me rreth 21%. Situata me pandeminë ka qenë e rënduar në tremujorin e tretë dhe sidomos në atë të fundit. Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë u regjistruan rreth 1600 vdekje më shumë (nga 1300 që ishte raportimi i mëparshëm) , me rritje prej 32% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas raportit në vitin 2020 janë shënuar gjithsej 27,605 humbje jete, me një rritje të ndjeshme prej 25.8%. Në total, 5,668 persona më shumë ndërruan jetë në 2020-n, në krahasim me vitin e mëparshëm. Ky është niveli rekord i jetëve të humbura në vend, që prej vitit 1990.

Gjithashtu nga shifrat e publikuara nga INSTAT në krahasim me atë të Drejtorisë së Gjendjes Civile vihet re se shifra është rreth 300 persona më e ulët.  Sipas Drejtoria e Gjendjes Civile, burimi i parë i të dhënave, vdekjet në 2020-n ishte rreth 28 mijë persona.

Ndër të tjera vihet re se numri më i ulët i vdekjeve në 2020, është në qarkun e Kukësit, me 627 vdekje, ndërsa më i larti i vdekjeve në 2020, në qarkun Tiranë, 7129 vdekje. Por 2020-a ka sjellë një përmbysje të tendencave shumëvjeçare për shkak të ndikimit që ka dhënë pandemia në rritjen e vdekshmërisë në vend. Kjo ka ndodhur në të gjithë botën, ku krahasimet me mesataren e pesë viteve të fundit kanë treguar për një nivel të lartë të vdekjeve shtesë, që i është dedikuar pasojave fatale të shkaktuara nga Covid-19.

Që prej vitit 2009, mesatarisht në vend, humbjet e jetës janë luhatur mes 21-22 mijë në vit, me kulmet që deri tani ishin arritur në vitin 2015 dhe 2017, që përkojnë me periudha gripale më të rënda. Tremujori i parë ka qenë tradicionalisht me më shumë humbje jete, teksa moti i ftohtë ul imunitetin kryesisht të të moshuarve.