Iu mori nga 200 euro për t’i kaluar në vendet e BE-së, arrestohet në Elbasan 35-vjeçarja korçare

Policia e Elbasanit ka arrestuar një 35-vjeçare, e cila akuzohet për dhënie ndihme të shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Sipas uniformave blu, e reja është kapur në Elbasan duke transportuar me mjetin e saj 5 shtetas sirianë, kundrejt përfitimit 200 euro për person.

Njoftimi i policisë:

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Vihet në pranga një 35-vjeçare, pasi u kap në flagrancë duke transportuar 5 shtetas të huaj nga vendet e treta.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetase po transportonte nga Korça, disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kapën dhe arrestuan shtetasen: K. B, 35-vjeçe, banuese në fshatin Libonik, Korçë.

Arrestimi i saj u bë pasi në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, u kap nga shërbimet e Policisë duke transportuar me mjetin tip “Volkswagen”, 5 shtetas sirianë, kundrejt përfitimit 200 euro për person.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti, 410 euro që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe një aparat celular.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”. /Balkanweb