“Ka pasur thyerje gjymtyrësh, ka vdekur 24-orë përpara se…’. Del rezultati mjeko-ligjor për vrasjen e Marigonës

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen makabre të 18-vjeçares Marigona Osmani e cila u vra brutalisht nga bashkëjetuesi i saj Dardan Kriqava.

Këshilltarja e Ministrisë së Drejtësisë, Nazlie Balaj ka bërë me dije se dyshohet se 18-vjeçarja ka ndërruar jetë 24 orë përpara se dy të rinjtë ta çonin në spital.

Në një prononcim për mediat kosovare, Balaj është shprehur se kemi të bëjmë me një rast politraumë, ku ndaj 18-vjeçares është ushtruar dhunë për dy ditë radhazi.

“Sipas informatave që i kemi ne si Ministri e Drejtësisë në të cilën është edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore rasti i M. është rast politraumë ku për dy ditë radhazi, sipas gjithmonë informacioneve, është ushtruar dhunë dhe që e ndjera ka vdekur 24 orë përpara para se të dërgohej nga të dy të dyshuarit në spitalin e Ferizajt”, tha Balaj.

Referuar analizës paraprake mjekoligjore, Nazlie Balaj ka bërë me dije se dhuna që është ushtruar ndaj Marigona Osmanit ka agravuar deri në thyerjen e gjymtyrëve. Por, sipas saj raporti përfundimtar ende nuk ka përfunduar, ku pritet që të zbulohen të gjitha shkaqet.

”Është një rast shumë i rëndë. Ka të bëjë me thyerje të gjymtyrëve, shkurt shqip, një lloj dhune e përdorur që e ka shkaktuar edhe vdekjen e saj, mirëpo raporti i autopsisë do ta tregojë qartë dhe saktë, shkakun e vdekjes, kohën e vdekjes, mjetet të cilat janë përdorë për vdekje, ndërsa analizat laboratorike i dhanë të dhënat tjera të cilat janë të domosdoshme kur kryhet një autopsi dhe raport i cili i dërgohet prokurorisë për hetime të mëtutjeshme”, tha Balaj.