Kallëzimet e PS për “21 janarin”, SPAK shpall moskompetencë; ia kalon Prokurorisë së Tiranës për hetim

SPAK ka shpallur ditën e sotme moskompetencën për kallëzimet e PS dhe ministrisë së Drejtësisë për 21 janarin dhe ia ka kaluar çështjen për hetim Prokurorisë së Tiranës.

Kallëzimet në SPAK nga ana e PS erdhën pasi publikimit në media të disa transkriptimeve të një audio-përgjimi, në të cilin tregohej komunikimi mes gardistëve ditën e 21 janarit, ku 4 persona mbetën të vrarë në shesh nga armët e shtetit.

PS kërkoi që SPAK të zbardhë 21 janarin, duke kallëzuar penalisht për vrasje në rrethana cilësuese ish-kryeministrin Sali Berishën, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Bashën dhe ish-kreun e Gardës Ndrea Prendin.

Në kallëzimin e bërë nga socialistët thuhet se faktet e reja të bëra publike në media tregojnë qartë se urdhrat për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve janë dhënë nga funksionarë të lartë shtetërorë për të shtënë ndaj personave të pafajshëm. PS thotë se s’ka qytetar që nuk e ka kuptuar se urdhëruesit e këtyre vrasjeve ishin Sali Berisha e Lulzim Basha.

Në dokument i referohen audio-përgjimit, që xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika ia ka dhënë gazetarit Artan Hoxha, ku sipas tyre rezultojnë të dhëna të reja si dhe fjalë konkrete të të kallëzuarit Ndrea Prendi gjatë zhvillimit të kësaj ngjarje dhe del në pah më së miri dhënia e urdhrave për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve, urdhra të cilët nisen nga persona të tjerë, funksionarë të lartë shtetërorë.

“PS është subjekti që ka thirrur protestën e 21 janarit, 4 dëshmorët janë 4 prej nesh. Në dritën e provave të reja, siç është audio përgjimi që është bërë publik, bazuar edhe në faktin që dosja penale për vrasjen e Aleks Nikës është ende në prokurorinë e Tiranës, ne nxisim SPAK ta hetojë këtë çështje.”- është shprehur kreu i grupit socialist Balla.