Kallëzohet në SPAK ministri Blendi Klosi/ Shkatërroi monumentin e natyrës

Nuk kanë të ndalur protestat nga banorët e Lumasit të cilët po kundërshtojnë ndërtimin e ujësjellësit të Sinecit. Një padrejtësi e madhe që po I bëhet jo vetëm banorëve por edhe vetë natyrës. Të pashpresë dhe pa zgjidhje për problematikën e tyre ata i janë drejtuar SPAK.

Banorët e fshatit Lumas u shprehën se në SPAK kanë kallëzuar kryetarin e bashkisë Kuçovë, firmën e ndërtimit që po kryen punimet dhe ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Gra e burra kanë kundërshtuar me forcë që mjetet të punonin duke thërritur me të madhe, qarë e ulëritur. Ata pa u lodhur po protestojnë prej muajsh për burimin e ujit të Sinecit dhe prej disa javësh kanë bllokuar edhe rrugët e fshatit, për të penguar mjetet e firmës kontraktuese për ndërtimin e ujësjellësit.

“Ne kemi 2 muaj që protestojmë. Jemi dhunuar nga policia në maksimum, 6 furgona na kanë tërhequr zvarrë. 28 persona kemi bërë kallëzim në Prokurorinë e Beratit. Ne e bëjmë këtë protestë sepse e kemi luftë për mbijetesë. Na hiqet ky ujë, ne jemi krejtësisht të falimentuar. Si mund ta quaj unë zhvillim këtë se thotë Erion Veliaj, kur ne humbasim 3 milionë lekë për familje në vit.”

Banorët janë në proces gjyqësor me bashkinë Kuçovë dhe kërkojnë që punimet të pezullohen deri në marrjen e një vendimi nga ana e gjykatës.

“Të ndërtosh një ujësjellës ku populli ka ujë për të pasur sepse në 2001-2005 ka ndërtuar “plan international” për 7 fshatrat e Lumasit ujësjellës. Këto fshatra konsumojnë ujë me kapacitet të plotë. Janë 7 puse të cilat mund të furnizojnë gjithë qytetin e Beratit. Nuk kishte nevojë për ujësjellës. Zona ku merret burimi është një zonë e mbrojtur, kategoria e tretë, shkallë e parë. Vlerat turistike që ka Sineci, mund të them që ka 10 vjet që vijnë turistë nga jashtë. Për këtë arsye, ky projekt që nuk është argumentuar mbi zona shkencore ne i jemi drejtuar SPAK-ut. Kemi kallëzuar kryetarin e bashkisë, firmën ndërtuese si dhe ministrin e Mjedisit i cili ka lëshuar shkresë që të kryhen punimet. Edhe pse ne kemi 2 muaj që protestojmë, punimet aty vazhdojnë. I jemi drejtuar dhe Gjykatës Administrative Vlorë.”thuhet në shkresën e banorëve.

Në mbështetje të tyre ka qenë dhe ambientalisti Sazan Guri. “Komuniteti ka marrë hapin e madh duke iu drejtuar SPAK me besimin e madh që do jetë mbi palët dhe do gjykojë me të drejtën jo thjesht të banorëve por me të drejtën natyrore,” tha ai.