Kallëzohet për 8 mashtrime bankare, Andri Leka; “cubi” që kërcënoi gjyqtaren Karanxha e u mbrojt nga Shefi Komisariatit Nr.2

Kodi Penal, përcakton këtë detyrim: – Personi i para-burgosur nuk mund të lihet i lirë nëse paralelisht ka kallëzim tjetër/ Ndërkohë që ditën e martë, kërcënuesi i gjyqtares do paraqitet në Gjykatën e Apelit; çuditërisht, SHÇBA nuk ka filluar hetim për shefin e Komisariatit Nr. 2, Ledion Lushka, i cili tentoi ta shpëtonte nga prangat mikun e tij kriminel me pagesë, duke i zhdukur telefonin, pasaportën false e pistoletën; dhe duke sajuar skemën e gjoja sëmundjes së rëndë, për ta lënë me hetim në gjendje të lirë.

Ditën e martë, para Gjykatës së Apelit Tiranë, do jetë “cubi” Andri Ylli Leka, i arrestuar e lënë në paraburgim nga Gjykata e Faktit, pasi prej 3 muajsh kërcënonte me jetë gjyqtaren Anila Karanxha; si shërbim i paguar nga grupet mafioze politike e trafikantë, që nuk mund të siguronin favore të paligjshme nga kjo gjyqtare.

Mirëpo, përveç krimit për të cilin është arrestuar më 22 korrik, të para-burgosurit Andri Leka i është shtuar dhe një dosje tjetër penale; për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit” me kredi bankare në vlerë 2.6 milionë euro.

Më 1 gusht 2021, studio ligjore “Jurisprudenca”, ka kallëzuar në prokurorinë e Tiranës, të “fortin” Andri Ylli Leka, për veprat penale  “Mashtrim” dhe “Mashtrim me kredi bankare kryer me paramendim”, parashikuar nga nenet 143 e 146 të Kodit Penal.

Drejtues politik e grupesh krimi që e vërsulën Andri Lekën për të kërcënuar gjyqtaren e Tiranës, Anila Karanxha, kanë bërë e po bëjnë çdo përpjekje, për ta nxjerrë kamikazin e tyre nga burgu në Gjykatën e Apelit.

Mirëpo nuk munden dot, pasi sipas Kodit Penal, nëse një person me masë “Arresti burg”, ka denoncim apo kallëzim penal, për një tjetër vepër penale me indicie e prova, nuk mund të lihet i lirë nga asnjë nivel gjykate.

Në rastin konkret, kallëzimi për mashtrimet bankare, që ka bërë “i forti” Andri Leka, ka lidhje me 8 vendime gjyqësore e urdhëra ekzekutimi të formës së prerë.

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar këtë kallëzim dhe ka nisur hetimin ndaj Andri Lekës; ndërsa ditën e martë në Gjykatën e Apelit, kërcënuesi i gjyqtares Karanxha, do kërkojë të lirimin nga paraburgimi, mirëpo nuk e lejon kallëzimi tjetër penal për mashtrimet bankare.

Tentativën për të mos përfunduar në burg, Andri Leka e bëri dhe më 22 korrik 2021, duke aktruar si gjoja me sëmundje të rëndë e zhdukje provash krimi, kur u prangos pas denoncimit që bëri gjyqtarja Anila Karanxha.

Skenari për ta shpëtuar Andri Lekën nga prangat, u përgatit nga miku i tij i “punëve të pista”, Ledio Lushka, me detyrë Shef i Komisaratit  Nr. 2 në Tiranë; i cili gjatë arrestimit, i fshehu telefonin me të cilët kishte bërë kërcënimet ndaj gjyqtares, 1 pasaportë false dhe 1 pistoletë të gjetur në brez.

FAKT/ Ndërkohë që Andri Leka, është në pranga prej 20 ditësh, SHÇBA ende nuk ka filluar hetimin për mikun e tij, Ledio Lushka, me detyrë Shef i Komisariatit Nr. 2 në Tiranë, i cili fshehu provat e krimit dhe inskenoi lojën e “sëmëndjes së rëndë”, për ta shpëtuar nga arrestimi.

Në vijim, do publikojmë profil e plotë të shefit të Komisariatit Nr. 2-Tiranë, jo si kryepolici, por si kryebandit pazaresh e punësh krimi me Ardi Lekën e të tjerë “tipa” si ky./Pamfleti