Kina kërcënon SHBA-në/ Hakmarrje për statusin e Hong Kongut

Qeveria kineze e ka kërcënuar SHBA-në me masa të ashpra kundërvepruese nëse shkel interesat e Republikës Popullore të Kinës.

Shkak për këtë reagim të Pekinit ishte njoftimi i presidentit amerikan Donald Trump për të revokuar privilegjet ekonomike për ish-koloninë britanike të Hong-Kongut dhe për të kufizuar hyrjen e studentëve kinezë në SHBA për shkak të ligjit të planifikuar nga Kina për sigurinë në Hong Kong.

“Çdo fjalë dhe veprim që dëmton interesat e Kinës do të hasë në kundërmasa nga pala kineze,” deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian në Pekin. Veprimet e Uashingtonit përfaqësojnë “ndërhyrje serioze në punët e brendshme të Kinës” dhe minojnë marrëdhëniet midis dy vendeve, shtoi ai. Për momentin, nuk dihet se çfarë masash specifike mund të marrë Pekini. Parlamenti rajonal i Hong-Kongut që është besnik i Pekinit miratoi të enjten planet e qeverisë qendrore kineze për një ligj të diskutueshëm për sigurinë për metropolin financiar, që parashikon ndëshkime për tentativat e “shkëputjes”, “përmbysjes”, “terrorizmit” dhe “rrezikimit të sigurisë kombëtare” ndërsa i mundëson shërbimit qendror kinez të sigurisë që të vendoset dhe të veprojë hapur në Hong Kong.

Një ditë paskësaj, Trump njoftoi se shumë shtetasve kinezë do t’u ndalohet të hyjnë në SHBA dhe se do t’i kërkojë qeverisë amerikane që t’i japë fund politikës që “i jep Hong Kongut një trajtim të ndryshëm dhe të veçantë”. Kritikët druhen se ligji i ri do t’i japë qeverisë së Pekinit akses më të madh në Hong Kong dhe do të çojë në humbjen e lirisë që shijon ish-kolonia britanike pas rikthimit të saj tek Kina në vitin 1997.