Komisionerja Etleda Çiftja me burime financiare të pajustifikueshme

 

Etleda Çiftja është Diplomuar “Jurist” në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
Znj. Çiftja është juriste me më shumë se 16 vjet eksperiencë, kryesisht në sektorin e ndërtimit, pronave, kuadrit rregullator për lejet dhe licencat në fusha të ndryshme të ligjit.
Karrierën e saj, znj. Çiftja e ka nisur si ndihmëse ligjore në një zyrë avokatie. Për periudhën 2001- 2009, znj. Çiftja ka punuar pranë kompanisë greke “Egnatia O.Albania”, pjesë e grupit të kompanive greke “Egnatia Group of Companies” , në pozicionin e këshilltares së përgjithshme/drejtores ligjore dhe rregullatore për zbatimin e projektit të përhapjes së rrjetit të telefonisë celulare “AMC”, në fushën e telekomunikacionit.
Për periudhën 2009- 2017, juristja Çiftja ka punuar pranë shoqërisë së mirënjohur norvegjeze “Statkraft AS” për filialin e krijuar prej saj në vendin tonë, “Devoll Hydropoëer sh.a.”.
Pas 8 vitesh në funksione të ndryshme pranë kompanisë “Devoll Hydropoëer sh.a.”. , znj. Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe cilësohet se njeh shumë mirë gjuhën angleze.

Një hetim i mundshëm penal ndaj Çiftes, mund t’i rrezikojë komisioneres jo vetëm vendin e punës, por edhe lirinë, pasi veprat penale për të cilat dyshohet kanë dënim vetëm me burg, në rast shpalljeje fajtor.

Më konkretisht. Në Korrik 2017, anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja, plotëson deklaratën fillestare të pasurisë. Ndër të tjera, ajo deklaron se është në pronësi të një aseti tokë arë, me sipërfaqe 3440 m2 në Qerret të Kavajës, blerë në 10 Korrik 2006, me vlerë 50 mijë euro.

Për këtë pasuri, ajo deklaron si burim financiar 15 mijë euro të kursimeve nga paga si juriste në kompaninë private “Egnatia O. Albania” dhe 35 mijë euro të tjera kredi, të cilën duhet ta shlyejë për 20 vjet, deri në vitin 2026. Deri këtu, nuk duket se ka ndonjë gjë të veçantë. Por, redaksia ka zbuluar kontratën që Etleda Çiftja e ka blerë këtë tokë në vitin 2006 dhe historia ndërlikohet shumë, në dëm të komisioneres së Vetingut.

Pavarësisht se kush është shifra e saktë që ka shpenzuar Etleda Çiftja për të blerë sipërfaqen e tokës, në çdo rast ajo ka kryer deklarim të rremë të pasurisë. Zonja Çiftja ka shënuar në deklaratën e pasurisë vlerën 50 mijë euro, e cila nuk përputhet me vlerën reale të kontratës së nënshkruar para noteres Kongoli. Pra, mjafton vetëm kaq që komisionerja të akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë.

Nga konsultimi i deklaratës së pasurisë dhe kontratës autentike të blerjes së tokës 3440 m2, duket qartë që komisionerja e Vetingut, Etleda Çiftja ka falsifikuar dokumentat. Nga njëra anë është kontrata me vlerën e blerjes 300 mijë lekë të reja dhe nga ana tjetër është kontrata që ka dorëzuar pranë një banke të nivelit të dytë, për blerjen e tokës me vlerë 50 mijë euro.

Fakti provohet lehtësisht edhe me metodën indirekte. Rregullat e bankave të nivelit të dytë parashikojnë se ato mund të disbursojnë deri në 70 përqind të vlerës së pasurisë së paluajtshme objekt i kontratave të shit-blerjes. Nga të dhënat e vetëdeklaruara nga Etleda Çiftja, rezulton se banka ka disbursuar kredinë në vlerë 35 mijë euro, shumë e cila është saktësisht 70 përqind e vlerës 50 mijë euro. Pra, për të njëjtën tokë, Etleda Çiftja ka përdorur të njëjtën kontratë, por me të dhëna tërësisht të ndryshme sa i përket çmimit të blerjes.