Kushtetuesja rrëzoi policinë për përgjimet, Avokati i Popullit: Fituam

Avokati i Popullit ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi policinë për ligjin e përgjimeve. Ligji u ankimua nga Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe tashmë policia nuk ka të drejtë që të bëjë përgjime dhe vëzhgime pa lejen e prokurorisë ose gjykatës. “Fituam në gjykatën Kushtetuese çështjen në mbrojtje të qytetarëve nga përgjimet masive pa autorizim” shkruan institucioni i Avokatit të Popullit.

“Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë sot Avokatit të Popullit, pas një kërkese të këtij të fundit për të shfuqizuar disa nene të ligjit të Policisë së Shtetit, që i jepnin kësaj të fundit kompetencë për të kryer përgjime masive ndaj qytetarëve pa një autorizim nga gjykata. Më 18 shkurt 2021, Avokati i Popullit parashtroi në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për ta shqyrtuar e shfuqizuar këtë ligj. Më konkretisht, Avokati i Popullit kërkoi shfuqizimin e nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Shfuqizimi i Nenit 131 të këtij ligji ishte kërkuar pranë Gjykatës Kushtetuese edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ndërkohë, në mbështetje të kërkesave nga Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, institucioni i Presidentit të Republikës i cili më herët kishte ushtruar kompetencën e tij me dekret për ta kthyer këtë ligj për shkak se binte ndesh me Kushtetutën, ka kërkuar shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 të këtij ligji.