Lista e zezë sekrete e Vetingut/ Rasti domethënës i Prokurorit të shkarkuar Ervin Karanxha

Me prokurorin e Prokurisë së Tiranës, të shkarkuar këto ditë në procesin e Vetingut Ervin Karanxha kam njëfarë njohjeje personale. Ashtu edhe me babain e tij, z. Kosta Karanxha. Provat me të cilat u arsyetua vendimi për shkarkimin e Ervin Karanxhës janë të tilla që nuk duhej të mbetej asnjë prokuror pa u shkarkuar nëse do të zbatohej me të tjerët i njëjti standard. Por Ervin Karanxha u shkarkua për arsye që nuk u thanë fare në vendimin e shkarkimit të tij. Ai u shkarkuar sepse emri i tij gjendej në një listë të zeze me emra të prokurorëve dhe gjyqtarëve, për të cilën flasin nën zë dhe me frikë në rrethet e punonjësve të drejtësisë.
Emri i Ervin Karanxhës hyri në këtë listë të zezë për shkak se në 2019 ai ishte kundër zgjatjes së hetimeve për çështjen e financimeve të fushatës zgjedhore të PD-së, ku nën hetim ishte kryetari i kësaj partie Lulzim Basha. Grupi i prokurorëve që merrej me këtë çështje u nda më dysh, Karanxha dhe një tjetër ishin që hetimet të mbylleshin dhe dosja të dërgohej në gjykatë me akuzën e falsifikimit të formularëve. Prokurori tjetër, i cili kishte dhe mbështetjen e drejtueses së Prokurorisë së Tiranës ishte i mendimit që duhet të thelloheshin hetimet edhe për lobimin rus.

Por “lobim rus” është term mediatik. Nga pikëpamja juridiko-penale kjo do të thoshte që të ngrihej akuzë për bashkëpunim me shtete të huaja në dëm të interesave të Shqipërisë, sipas nenit 218 të Kodit Penal, “Vënie në shërbim të shteteve të huaja”. Por kjo do të ishte qesharake meqënëse veprimtaria ishte kryer në SHBA që do të thotë se dilte që kishte pasur më parë një ndërhyrje ruse në SHBA, gjë për të cilën duhet të ishte vënë në lëvizje drejtësia amerikane, që nuk kishte ndodhur. Merret vesh ishte Edi Rama i cili donte që Basha të merrej i pandehur për vënie në shërbim të Rusisë dhe pastaj le të merrej ndaj tij masa e sigurisë e detyrimit për paraqitje. Kjo kishte thjesht rëndësi politike.

Këtë shërbim e donte Rama nga prokurorët. Karanxha nuk donte që t’ ia bënte këtë shërbim. Dhe pagoi çmimin. Dikush mund të thotë se u shkarkuar dhe Elisabeta Imeraj, drejtuesja që në këtë çështje kishte mendim të kundërt me Karanxhën dhe e shprehu me shkrim këtë gjë. E vërtetë, por ajo u shkarkua se Rama priste më shumë prej saj, priste që t’ ia hiqte çështjen Karanxhës dhe t’ ia jepte dikujt tjetër, ose ta merrte vetë. Ajo nuk e bëri dhe hyri në listën e zezë.

Kur Karanxha mori vendim që Basha të merrej forcërisht për t’ u pyetur, pasi nuk paraqitej, opozita tha se Karanxha e bënte këtë se ishte para procesit të vetingut dhe donte të tregonte besnikëri politike ndaj partisë në pushtet. Në fakt koha tregoi se Karanxha donte që ta “kopsiste” mirë dosjen nga ana juridike.
Skenat e pandodhura ndonjëherë në procesin e vetingut që u shfaqën në televizione në seancën për Karanxhën kur policët nxorrën jashtë forcërisht prokurorin dhe avokatët e tij, ishin një skenar provokimi i ideuar dhe urdhëruar nga klika e listës së zezë të drejtësisë. Qëllimi ishte që prokurori Karanxha të konfliktohej fizikisht me gardistët dhe të arrestohej në kushtet e flagrancës.

Thonë se historia përsëritet dy herë. Ky është rasti edhe me Ervin Karanxhën. Babai i tij Kosta Karanxha ka qenë kryetar i Hetuesisë së rrethit të Shkodrës në janar 1990 kur u bë demonstrata e madhe për përmbysjen e bustit të Stalinit, me ç’ rast u godit objekti me lëndë shpërthyese. Në atë kohë pati disa hetues në Shkodër të cilët për të bërë karrierë dëshën ta fryjnë çështjen duke e paraqitur si një lëvizje të organizuar nga shërbimet e fshehta të huaja që vepronin me anë të një organizate terroriste. Për këtë paraqitën lista të gjata me emra personash që duheshin arrestuar dhe akuzuar për një vepër penale që në atë kohë dënohej deri me vdekje. Më i zellshmi dhe më ekstremisti ndër këta hetues ishte drejtuesi i sotëm i SPAK Arben Kraja.
Kosta Karanxha ka fajet e veta nga ajo kohë por e vërteta është se ai i kundërshtoi këto marrëzi ekstremiste staliniste.

Mund të thuhet se kishte edhe një udhëzim nga Ramiz Alia që çështja të mos merrte përmasa të tilla. Gjithsesi, në atë kohë Kosta Karanxha mund të kishte marrë fare lehtë pozicionin e ekstremistit për të qenë në rregull. Nuk i dihej se çfarë rrjedhe merrnin gjërat. Praktika e diktaturës komuniste kishte treguar se ata që mbanin qëndrim ekstremist stalinist ishin gjithmonë në rregull dhe më e pakta ky qëndrim nuk i dëmtonte. Ironikisht këtë e vërteton edhe karriera e Arben Krajës. Z. Kosta Karanxha nuk e ka shpallur veten disident për këtë qëndrim, as ka bërë zhurmë në media. Por ky qëndrim i bën nder atij.

Z. Kosta Karanxha duhet të flasë sot për ato ngjarje. Të flasë edhe për Arben Krajën. Shumë dokumente janë zhdukur por ka një Krrabë një tunel të pahapur plot me mikrofilma që përmbajnë dokumente sekrete. Dhe Arben Krajën e mbajnë peng sot me një mikrofilm që përmban një dokument të tillë ku ai kishte kërkuar të vareshin njëzet shkodranë për të shpaguar mustaqet prej bronzi të Stalinit.

Ervin Karanxha është me prejardhje nga një zonë e Dibrës ku popullsia është dygjuhësore, flet dhe një dialekt sllav. Në të vërtetë ata janë shqiptarë që kanë një traditë dygjuhësore për shkak se shkonin si punëtorë sezonalë ndërtimi në zonat e banuara nga sllavë. Sot shumë njerëz nga ajo zonë e Dibrës janë deklaruar bullgarë për të marrë shtetësinë dhe pasaportën e një vendi të Bashkimit Europian dhe për të shkuar vendet e BE. Ervin Karanxha dhe familja e tij e kanë deklaruar veten shqiptarë në census.
Por çfarë i mbetet të bëjë Ervin Karanxhës tani që shteti shqiptar jo vetëm po e largon nga puna në moshën 40 vjeç, por e largon sipas një ligji që i ndalon të ushtrojë profesionin privat si avokat. Praktikisht shteti shqiptar po i thotë Ervin Karanxhës shko deklarohu bullgar, merr një pasaportë bullgare dhe shko jeto dhe puno me familjen në ndonjë vend të BE si bullgar.

Edhe diçka e fundit, nuk e di nëse në dosjen e shkeljeve të Ervin Karanxhës është shënuar edhe që ka pirë kafe me mua./Kastriot Myftaraj