Lufta kundër Covidit, ringritja e ekonomisë dhe klima janë tre prioritetet e vitit 2021, sipas OKB. Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, kërkon një Kontratë të Re Sociale.
Vitin që kaloi bota humbi 2 milionë vetë. Qeveritë kanë përgjegjësi për mbrojtjen e popullsisë së tyre, por Covid nuk mund të luftohet vetëm në një vend. Studimet kanë treguar se vaksina mund t’i kushtojë ekonomisë së botës 9,2 trillion dollarë. Pasi numëron hapat që duhen ndjekur për të luftuar Covidin, Guterres thotë se “bota nuk mund të shpëtojë nga virusi nëse ekonomia lufton për ekzistencë.” Ai kërkon fillimin e një programi të qëndrueshëm shpëtimi.
Vendet e pasura janë duke zbatuar programe shpëtimi me vlerë triliona dollarë, tregon shefi i OKB, kurse vendet e varfra kanë qenë në gjendje të shpenzojnë vetëm 2 përqind të prodhimit të brendshëm në vend. Guterres kërkon lehtësimin e borxheve për vendet në zhvillim dhe ato me të ardhura të mesme.
Luftimi i Covidit, ringritja ekonomike dhe klima janë prioritetet kryesore në vitin që sapo ka filluar, të cilin Guterres e quan kritik për klimën dhe biodiversitetin.”Ka ardhur koha që carbonit t’i vendoset çmimi që ka”, thotë Guterres.
2021 viti i shpresës
Humbjet ekonomike vazhdojnë të rriten, në një kohë kur numri i vendeve të punës ka rënë me 500 milionë vende pune. Pabarazia vazhdon të rritet, varfëria po arrin ekstremet, biodiversiteti po bie. Dhe sikur të gjitha këto të mos mjaftonin tensionet gjeopolitike janë duke penguar përpjekjet kolektive për të vendosur paqen. Nevojat për ndihma humanitare janë në rritje, rreziku nga armët atomike dhe kimike është në rritje, të drejtat e njeriut po zbehen, gjuha e urrejtjes është në rritje. Më keq nuk bëhet. Me një fjalë 2020 solli shumë tragjedi dhe vuajtje, 2021 duhet të jetë viti i kthimit të botës në rrugën e duhur.
Guterres, kërkon të luftohet pandemia e varfërisë dhe pabarazisë. “Më shumë se 70 përqind e popullsisë së botës është duke jetuar me rritjen e pabarazisë së pasurisë,” thotë ai duke shpjeguar se shanset e njerëzve në botë varen nga gjinia, raca, baza familjare dhe etnike, si dhe faktorë të tjerë. “Pandemia i ka bërë gjërat më keq,” thotë Guterres, i cili kërkon Kontratë të Re Sociale./DW