Në vendin ku drejtësia duhet të ishte mburoja e ligjit dhe mbrojtësja e qytetarit të thjeshtë, po ndodh e kundërta, ajo është kthyer në strehë për lidhjet e ngushta politike dhe familjare që mbrojnë interesat e pakicës.
Rasti i prokurores Esmeranda Basho dhe drejtorit të Shërbimeve Publike të Bashkisë Delvinë, Blerim Kulla, është dëshmi e qartë e kësaj perversioni të sistemit të drejtësisë shqiptare.
Kulla, një zyrtar i lartë i bashkisë, ka përvetësuar një tokë publike prej 1.29 hektarësh nëpërmjet një kontrate të dyshimtë me djalin e xhaxhait të tij, i cili ka qenë më parë kryetar komune.
Më keq akoma, kjo pronë bujqësore është kthyer në truall ndërtimi dhe mbi të është ngritur një objekt pa leje, ndërkohë që bashkia që duhet të mbrojë ligjin e mban Kullën në detyrë.

Foto me dron tokës që i është ndryshuar destinacioni
Për të gjithë këtë aferë kriminale , prokurorja Esmeranda Basho, që ka përgjegjësinë ligjore të hetojë dhe ndjekë penalisht shkeljet, ka zvarritur hetimet dhe ka favorizuar drejtorin duke fshehur lidhjet familjare dhe shoqërore që i bashkojnë. Në vend që të ishte një shembull i paanshmërisë dhe integritetit, ajo është kthyer në mburojë të atyre që duhet të ishin nën hetim dhe në burg për grabitje të pronës publike .
Dyshohet se në këtë hetim ka ndërhyrë djali i xhaxhait të prokurores Esmeranda Basho, shtetasi Mariglen Basho, i cili mban pozicionin e oficerit të policisë gjyqësore. Përveç detyrës së tij zyrtare, ai është edhe mik i ngushtë i Blerim Kullës, drejtorit të Shërbimeve Publike në Bashkinë Delvinë, ndaj dhe kjo lidhje personale ngre dyshime serioze për ndikim të paligjshëm dhe manipulim të procesit hetimor.


Fotogarfi që provon se i gjith fisi i Bashos është frends në facebook me shkelsin e ligjit.
Nga një vëzhgim i thjeshtë në profilin e Facebook-ut të shtetasit Blerim Kulla rezulton se ai ka në listën e miqve pothuajse gjithë fisin e prokurores Esmeranda Basho, çka tregon qartë lidhjen dhe njohjen e afërt mes saj dhe këtij shtetasi.
Ky ndikim i mundshëm nuk është thjesht një shkelje proceduriale, por tregon sesi lidhjet familjare dhe miqësitë e ngushta përdoren për të kapur institucionet e drejtësisë dhe për të mbrojtur interesa private në dëm të ligjit dhe qytetarëve. Kjo situatë hedh hije të mëdha dyshimi mbi integritetin e hetimeve dhe vërtetësinë e angazhimit të prokurorisë për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Këtë aferë korruptive të thellë dhe të ndërlikuar duhet ta hetojë urgjentisht SPAK, institucioni që ka përgjegjësinë për të zbardhur deri në fund lidhjet klienteliste, ndikimet e paligjshme dhe për të garantuar drejtësi të paanshme në këtë rast ku përfshihen zyrtarë të lartë dhe lidhje të ngushta familjare që kërcënojnë shtetin ligjor.
Për këtë rast është urdhëruar edhe kryerja e një akti ekspertimi në terren, por ai nuk u realizua sepse gjatë kryerjes së ekspertimit, drejtori Blerim Kulla sulmoi dhe rrahu kallëzuesin, duke penguar punën e ekspertëve dhe duke i detyruar ata të largohen, çka tregon qartë ndërhyrjen dhe presionin e përdorur për të bllokuar hetimin dhe penguar zbardhjen e së vërtetës.
Më tej, dhuna fizike e ushtruar nga Kulla ndaj kallëzuesit në momentin e akt-ekspertimit tregon qartë se këtu nuk është vetëm problem ligji, por edhe kultura e pandëshkueshmërisë dhe kapjes së institucioneve. Dhe kur prokurorja nuk ndërhyn as për të ndaluar dhunuesin, por e lejon të lirë, ajo bëhet bashkëfajtore.
Në këtë skandal, përtej individëve, përgjegjësia bie mbi kryeministrin Edi Rama. Ai që ka kthyer luftën kundër ndërtimeve pa leje në një propagandë permanente, që poston në çdo moment video me fadroma dhe shkatërrim, këtë herë hesht në mënyrë të habitshme. Kjo heshtje nuk është mungesë informacioni, por një qëndrim politik që tregon se kur bëhet fjalë për “shokët” dhe lidhjet brenda vetes, ligji nuk ka asnjë forcë.
Edi Rama përdor “luftën kundër ndërtimeve pa leje” për të fituar pikë politike, por në raste si ky i Delvinës, ku grabitja e pronës publike bëhet nga njerëz të afërt, hesht dhe e lejon drejtësinë të zvarritet. Ky është standardi i dyfishtë që po vret besimin e qytetarëve te shteti dhe ligji.

Në vend që të jemi dëshmitarë të një sistemi ku ligji është i barabartë për të gjithë, po përballemi me një drejtësi selektive dhe të kapur nga politika, ku miqësitë dhe lidhjet familjare kanë më shumë fuqi se vetë ligji.
Përse Rama hesht për rastin Basho-Kulla?
Heshtja e Kryeministrit Edi Rama për këtë skandal të rëndë nuk është rastësi, por një zgjedhje e qëllimshme politike. Në rastet kur shkelësi i ligjit është drejtor i partisë në pushtet, mbështetësi i afërt dhe një nga njerëzit kyç në strukturat e qeverisë, Rama nuk do të rrezikojë të humbasë një aleat të rëndësishëm. Për të, interesi politik është mbi ligjin, dhe kjo tregon qartë se lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimeve pa leje është vetëm një propagandë për qytetarët e thjeshtë, ndërsa për “shokët” e pushtetit ekziston një drejtësi e veçantë dhe e butë. Kjo heshtje politike e Ramës është një mesazh i hidhur për shqiptarët, në këtë vend, kush ka lidhje dhe pushtet, mund të shkelë ligjin pa u ndëshkuar.
Video e ndertimit pa leje
Edi Rama ka treguar me zë të lartë dhe me ashpërsi të paparë ndaj prokurores Gjeli të Shkodrës, e cila për fat të keq nuk ka asnjë mbështetje politike, duke qenë se babai i saj mban një punë të thjeshtë e të ndershme taksisti, një shembull i pastër i njeriut të thjeshtë që përballet me drejtësinë pa asnjë rrjet mbrojtës.

Fotografi e dokumentave të konstatimit të ndërtimit pa leje, i kryer për qëllime fitimi.
Ndërkaq, për skandalin e prokurores Esmeranda Basho, Rama ka zgjedhur heshtjen absolute, kjo heshtje nuk është vetëm mungesë përgjegjësie, por një sinjal i qartë se në këtë sistem, lidhjet familjare dhe pozicionet e pushtetit janë ato që përcaktojnë se kush ndëshkohet dhe kush mbahet në fron.
Djali i xhaxhait të Bashos, ish-kryetar partie socialiste dhe administrator në poste kyçe si landfilli i Sarandës, Delvinës dhe Himarës, është një shembull perfekt i “standardit të dyfishtë” që Rama përdor me mjeshtëri, kur bëhet fjalë për njerëzit e tij, heshtja dhe mbrojtja janë norma; kur është fjala për të tjerët, sulmi dhe përbuzja janë të pashmangshme. Kjo situatë ironikisht na tregon se drejtësia në Shqipëri nuk është gjë tjetër veçse një teatrik politik me role të përcaktuara qartë nga lidhjet dhe interesi partiak.
Apo ndoshta Edi Rama nuk reagon për prokuroren Esmeranda Basho sepse ajo mbron me përkushtim “ushtarët” e partisë në pushtet; në një sistem ku mbrojtja politike vlerësohet më shumë se ligji, heshtja ndaj Bashos tregon qartë se sa larg është shteti nga drejtësia e vërtetë, ku drejtësia shërben si gardian i interesave partiake dhe jo i qytetarëve.