Manovra ushtarake/ Nis në Durrës stërvitja e trupave të NATO-s dhe aleatëve

Sot, ka nisur zyrtarisht stërvitja e trupave të NATO-s dhe aleatëve, në kuadër të “Defender Europe 21”. Në bregdetin e Durrësit kanë zbarkuar paraditen e sotme mjetet e trupave amerikane.

Në sy bien makinat amfibe të ushtrisë amerikane, të cilat lëvizin në tokë dhe në ujë. Kjo është një nga manovrat e para të trupave të NATO-s dhe aleatëve, ndërsa në ditët në vazhdim priten stërvitje të mëdha, nga toka, deti dhe ajri, të cilat do të pasqyrohen dhe në media.

Ndërkohë, trupa e tjera patrullojnë në det dhe kryejnë manovra me anije. Dje, është bërë ceremonia zyrtare e fillimit të stërvitjes, me pjesëmarrjen e gjeneralëve të lartë amerikanë, krerëve më të lartë të shtetit shqiptarë dhe ambasadorëve të akredituar në Tiranë.

Të pranishmit, mes tyre kryeministri Rama, ambasadoja Kim, disa ministra dhe gjeneralë amerikanë hipën në anijen e Rojes Bregdetare “Lissus” dhe kryen manovra në det të hapur, ndërsa Presidenti Meta dhe një pjesë tjetër e delegacionit hipën në anijen “Iliria”.