Mbërrijnë sot në Shqipëri 300 afganë, ku do strehohen? Ngrihen çadrat e ushtrisë në Rinas për kontrollin mjekësor

Pritet të mbërrijnë sot në Rinas 300 afganët e para. Avioni me afganë do të zbresë në Rinas në 17:00, ku janë ngritur dhe tendat ushtarake, ku refugjatët afganët do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësor, për të parë nëse dikush ka nevojë për trajtim të specializuar.

Grupi i afganëve me gjasë do të strehohet për një periudhë të shkurtër në disa struktura në Durrës dhe në Tiranë, ndërsa më pas autoritetet parashikojnë që të gjejnë një vendndodhje të re.

Për momentin, janë identifikuar disa hotele në Durrës dhe disa prej godinave të rikonstruktuara të qytetit Studenti në Tiranë, me nje kapacitet total për dy mijë persona.

Ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili pak ditë më parë tha se ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës nga SHBA për të strehuar përkohësisht afganët në vendin tonë.

Kujtojmë që tre ditë më parë talebanët morën në dorë gjithë Afganistanin, ndërsa qytetarët po përpiqen të largohen nga vendi pasi ndihen të kërcënuar.