‘Memorandum mirëkuptimi’/ Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela nënshkruan marrëveshje me OSBE-në

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela nënshkruan, sot, një memorandum mirëkuptimi, me qëllim formalizimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela tha se nënshkrimi i memorandumit përbën një hop cilësor në vazhdën e bashkëpunimit pozitiv të deritanishëm mes Prezencës dhe Prokurorisë së Përgjithshme. “Ndërmarrja e këtij hapi, që qartësisht strukturon marrëdhëniet tona, do të shërbejë për intensifikimin e këtyre raporteve si dhe do të na japë mundësinë për të eksploruar më tej në fusha të tjera”, tha ai.

“Ne jemi të nderuar që jemi organizata e parë ndërkombëtare në Shqipëri që nënshkruan një memorandum të tillë mirëkuptimi me Prokurorinë e Përgjithshme”, tha ambasadori Del Monaco, në ceremoninë e nënshkrimit.

Prezenca e OSBE-së filloi të bashkëpunojë me Prokurorinë e Përgjithshme, në vitin 2019, përmes një analize sistemi, e cila shërbeu për të informuar më mirë veprimtaritë e mëtejshme të Prezencës në mbështetje të sistemit të prokurorisë në vend. Kjo analizë ishte edhe baza për një Manuali për Rolin Drejtues të Prokurorit, që Prezenca dhe Prokuroria e Përgjithshme do ta paraqesin këtë muaj.

Përgjatë 2021-shit, Prezenca do të hartojë edhe një udhëzues për hetimin e një kategorie të veçantë veprash penale, të cilat do të përcaktohen në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme. Veprimtaritë e tjera përfshijnë një tryezë të rrumbullakët për çështjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, ku Prokuroria e Përgjithshme do të luajë një rol të rëndësishëm; si edhe një trajnim dhe ushtrim simulues për prokurorët lidhur me trafikimin e personave. Gjithashtu, Prezenca do të mbështesë Prokurorinë e Përgjithshme në hartimin e Udhëzimeve të Përgjithshme për Prokurorët, si dhe do të ndihmojë Prokurorinë në nismat e saj legjislative.