Pandemia ngadalësoi “luftën” ndaj korrupsionit, 19 tregues nuk u realizuan në vitin 2020

Ministria e Drejtësisë zbardhi se plani i veprimit për strategjinë e luftës ndaj korrupsionit nuk u realizua në pjesën më të madhe të treguesve në vitin 2020.

Një efekt duket se e ka pasur edhe situate e pandemisë ku sipas raportit të monitorimit të kësaj strategjie nënvizohet se ka pasur burime të pamjaftueshme financiare.

Konkretisht në janar – dhjetor 2020, janë mbledhur dhe analizuar të dhëna për 37 tregues performance, të shpërndare përkatësisht në 21 tregues për objektivat specifikë në qasjen parandaluese, 9 tregues për objektivat specifikë në qasjen ndëshkuese dhe 7 tregues për objektivat specifikë në qasjen ndërgjegjësuese.

“Gjatë vitit 2020, janë arritur vlerat e synuara për 14 tregues performance, pjesërisht për 4 tregues performance dhe nuk janë arritur për 19 tregues performance” thuhet në raport.

Lidhur me treguesit e realizuar ministria nënvizon se ato nisnin nga sigurimi i transparencës së autoriteteve për regjistrat e kërkesë-ankesave tek tenderët dhe shërbimet elektronike.

“Janë siguruar procedura transparente të prokurimit publik duke arritur vlerën e synuar lidhur me elementet e ndryshuar në planet vjetore të prokurimit, të procedurave me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës si edhe të numrit të kontratave të ndryshuara gjatë vitit krahasuar me vitin e mëparshëm, duke ofruar stabilitet të këtyre treguesve.

Janë shtuar në mënyrë të ndjeshme numri i shërbimeve elektronike në funksion të plotë për përdorim nga qytetarët duke siguruar transparencë dhe lehtësi përdorimi. Deri në fund të vitit 2020 janë 1021 shërbime elektronike në funksion të plotë, 1.87 milion përdorues të platformës së shërbimeve e-Albania dhe 7.7 milion aplikime/përdorime të shërbimeve elektronike.

Janë përfunduar procedurat ligjore për mirëmbajtjen e sistemit elektronik të deklarimit online të pasurive dhe aseteve, është shpallur kompania fituese dhe përgatitja (testimi) i sistemit për të filluar nga përdorimi sipas parashikimit të bërë në planin e veprimit 2020- 2023” thuhet në dokument.

Sipas ministrisë viti 2020, është viti i pandemisë globale Covid-19, efektet e së cilës u shtrinë dhe ndikuan gjithashtu në zbatimin e këtij plani veprimi. “Aktivitetet, masat e parashikuara për zbatim përgjatë vitit 2020, vlerat e treguesve, operacionaliteti dhe funksionimi i institucioneve të përfshira në zbatimin e Planit të Veprimit janë ndikuar duke sjellë vonesa, pamundësi dhe/apo bllokim të proceseve të punës”