Merkel: Gjermania duhet ta marrë shumë seriozisht variantin e ri të Covid-19

Gjermania duhet ta marrë shumë seriozisht variantin e ri të koronavirusit, sipas kancelares Angela Merkel.

Në një konferencë për mediat, ajo u shpreh: “Mutacioni i virusit është kërcënim. Dhe është shumë më infektues nga sa ne mendonim vitin e shkuar dhe kjo e bën pandeminë akoma më të vështirë për t’u kontrolluar.”

Merkel i nxiti gjermanët që ta marrin seriozisht virusin ose në të kundërt parandalimi i një vale të tretë do të ishte i pamundur.

Gjithashtu, kancelaria gjermane bëri të ditur se varianti i ri i koronavirusit ishte tema që u mbajt në qendër të bisedës që ajo pati të enjten me liderët e Bashkimit Evropian.

Më herët gjatë javës, Gjermania zgjati afatin e karantinës deri më 14 shkurt, duke lënë në fuqi rregulla më të rrepta, duke përfshirë bërjen e detyrueshme të mbajtjes së maskave FFP2 në hapësirat publike dhe detyrimin e kompanive gjermane që të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia deri në mes të marsit, aty ku është e mundur.