Java e dytë e vaksinimit anti-Covid në Shqipëri ka nisur ditën e sotme me personelin shëndetësor të pavionit të Pediatrisë, ku trajtohen fëmijët e prekur nga Covid-19.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se deri tani janë vaksinuar 447 mjekë, epidemiologë dhe infermierë.
“Janë vaksinuar saktësisht 447 mjekë, infermierë, epidemiologë, të cilët janë në vijën e parë të ofrimit të shërbimit”, tha Manastirliu.
Ministrja shtoi se vaksinimin do të vijojë jo vetëm për personelin e spitaleve Covid, por edhe për linjën e parë të mjekëve në shërbimet e urgjencës dhe reanimacionit, si edhe vaksinimi i kombinuar me të moshuarit e Shtëpive të të Moshuarve.
Ajo tregoi gjithashtu se përveç kontratës me Pfizer, pritet këtë javë një përgjigje nga COVAX për kohën e shpërndarjes së vaksinave të para.
“Do të vijojmë me administrimin e vaksinës sipas planeve tona, qoftë përsa i përket marrëveshjes me Pfizer dhe gjithashtu edhe marrëveshjes me Covax-in. Do të kemi një informacion më të detajuar për lëvrimin e dozave të Covax, shpresojmë brenda kësaj jave, për të vijuar pikërisht edhe me planin tonë të vaksinimit për kategoritë e riskuara, që janë mjekët dhe infermierët, gjithashtu me vaksinimin e të moshuarive në Shtëpitë e të Moshuarve si edhe me vaksinimin e kombinuar duke vijuar me të moshuarit mbi 75 vjeç”, tha ministrja.