Sula kërkohet për t’u arrestuar në territorin e Kosovës për korruptim të zyrtarëve për të ndërtuar në mënyrë të paligjshme në Brezovicë. Aksioni në Kosovë tregon funksionimin e shtetit ligjor në gjysmën tjetër të kombit shqiptar dhe ndryshimin e madh me Shqipërinë.
Nëse në Shqipërinë e Edi Ramës paratë dhe pasuritë publike vidhen nga një bandë klienteliste që ka kapur drejtësinë, në Kosovën e Albin Kurtit oligarkët që korruptojnë zyrtarët dhe pastrojnë paratë, dalin para drejtësisë. Në Kosovë ka nisur një aksion i madh kundër korrupsionit për një aferë madhore, pas së cilës qëndron oligarku i Tiranës Gentjan Sula, bashkë me publicistin Veton Surroi.
Pasi ka bërë kërdinë me paratë dhe pasuritë publike në Shqipëri, falë lidhjeve me Ilir Metën, Edi Ramën, Erion Veliajn dhe Sali Berishën, oligarku i zi Gentjan Sula i ka hedhur sytë në Kosovë, përmes kompanisë “Stella Consulting”, ku Sula ka 70 % të aksioneve, ndërsa 30 % i ka Veton Surroi.
Sipas një dosje të prokurorisë së Ferizajt, kompania e Sulajt i ka dhënë mbi 400 mijë euro ryshfet ish-kryetarit të komunës Shtërpcë Bratislav Nikoliç për leje ndërtimi të disa shtëpizave. Më pas, Sula ka nisur të ndërtojë një hotel në mënyrë të paligjshme, duke menduar se është në Shqipëri, që korrupton këdo që i del para në veprimtarinë e tij të zezë. Organet ligjzbatuese të Kosovës kanë bërë një inspektim dhe kanë konstatuar krimin mjedisor. Sipas dosjes, Sula dhe Surroi po cenonin edhe pistën e skive.
Prokuroria ka bllokuar ndërtimin, ka arrestuar Bratislav Nikoliçin dhe një grup të madh zyrtarësh të korruptuar nga kompania e oligarkut të Tiranës, u ka sekuestruar pasuritë. Gjithashtu, prokuroria ka sekuestruar ndërtimin e paligjshëm si dhe ka ngrirë llogaritë e kompanisë së Sulajt. Ka dyshime të forta se Sula kërkohet për t’u arrestuar në territorin e Kosovës për korruptim të zyrtarëve për të ndërtuar në mënyrë të paligjshme në Brezovicë. Aksioni në Kosovë tregon funksionimin e shtetit ligjor në gjysmën tjetër të kombit shqiptar dhe ndryshimin e madh me Shqipërinë.
Ndërsa në Kosovë për oligarkun Sula janë bërë gati prangat, në Shqipëri ai vijon të ndërtojë në mënyrë të dyshimtë dhe të marrë tendera klientelistë nga drejtorët, ministrat dhe kryebashkiakët e Edi Ramës, me anë të kompanisë Agikons që e ka kaluar në emrin e familjarëve të tij.