Ka reaguar me revoltë Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, lidhur me ngjarjen që ndodhi sot në drekë te “Varri i Bamit” në Tiranë. Gjatë një operacioni policie Forcat Speciale dështuan të arrestojnë një të dyshuar për shpërndarje droge, pasi shoferi i makinës që policët kërkonin të ndalonte, i dha gaz dhe u largua.
Aty në vendngjarje ishte edhe reporteri Ergys Gjençaj i cili u neutralizua nga policia si të ishte kriminel. UGSH dënon me forcë këtë veprim të nxituar dhe pa profesionalizëm të Forcave Speciale, duke shprehur shqetësimin e thellë për mënyrën se si ata vepruan ndaj gazetarit.
“U sollën me agresivitet, ishin brutalë dhe arrogantë”, shkruan UGSH në një reagim në Facebook. UGSH u bën thirrje autoriteteve policore në vend që të reflektojnë me urgjencë ndaj incidenteve të tilla.