Ish ministri i drejtësisë në Qeverinë “Rama 2”, Ylli Manjani ka komentuar paketën e projektligjeve të reformës në drejtësi që u miratuan ditën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë.
Ai ka shtruar pyetjen se a është korrekt kryeministri Edi Rama me ambasadorët e huaj në Shqipëri, dhe ka renditur disa fakte ku ka hedhur dyshime se Edi Rama po përdor Tom Doshin për të tallur me Ambasadorët.
“Rasti i Tom Doshit e bën më të dukshëm talljen, mashtrimin dhe tregimin e vendit që Edi Rama u bën Ambasadorëve. Për hir të fakteve, zonja Kim ende reagon, por deri më tani ngjan se po i bën reklamë elektorale Tomës… As ajo, as paraardhësit e saj nuk kanë bindur opinionit publik këtu se çfarë krimi ka bërë Toma në Amerikë, apo në Shqipëri?!
Ndoshta po të kishte kursyer pak kohë nga deklaratat për “topin në fushën e Bashës, apo tolerancën e Ramës”, do ishte marrë më shumë me interesat amerikane në ligjin zgjedhor, pra me vendosjen e rregullave ndaluese për Tomën e të tjerët. Por nuk e bëri”- ka shkruar Manjani.
Sipas Manjanit ndëshkimi i vjedhjes së votës, ishte dhe mbetet dështimi më i madh. “Ambasadorët nuk arritën të dëshmojnë asnjë sukses që reforma e tyre po ndëshkonte hajdutët e votave me pushtet”-u shpreh ai.
Ai ka sjellë në vëmendje rastin kur deputeti , Adnor Shameti tha publikisht se ligjet e reformës në drejtësi kanë nevojë të korrigjohen, gjë që çoi në reagimin e Ambasadores Amerikane.