Nga Elton Qyno
Pas një seri vrasjesh që pushtuan për gati 4 javë kronikat e zeza të televizioneve dhe portaleve, Policia e Shtetit, vendosi të nxjerë nga “strofka” e Yzberishtit njësitë e Repartit Special RENEA, me qëllim për ti dhënë një mesazh elementëve të kriminalizuar se: “…ne kemi aq shumë forcë, sa ju ngremë në ajër…”. Dhe në fakt realisht kanë forcë, por varet se ku e përdorin. Për të gjithë ata që nuk e dinë çfarë është emërtimi RENEA, ky akronim shkronjash kapitale, ka kuptimin “Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur”.
Ky repart me këtë lloj efektivësh vjen në ditët e sotme, nga mëma e tij “Reparti Special 326”, që kontrollohej plotësisht nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë periudhës komuniste. Sot RENEA, ka ndryshuar komplet mendësi, komplet strukturë dhe organikë dhe komplet trajnime e trajtime. Sot RENEA është reparti më i mirë special në Shqipëri, madje edhe më i mirë se batalioni special i Forcave të Armatosura, të cilët nuk kanë mendësi, psikologji, përqëndrim dhe taktikë si efektivët e RENEA-s. Kur qytetet Shkodër, Vlorë dhe Elbasan u përfshinë nga vrasjet dhe atentatet dhe kur situata e rendit u cënua shumë, zyrtarët e policisë nxorën për dy ditë rrugëve të vendit, RENEA-n. Në fakt për të gjithë ata që nuk e dinë si vepron RENEA, efektivët e këtij reparti nuk bëjnë ndjekjen operative, kamofluese, stimuluese të personave të rrezikshëm.
Ata nuk bëjnë ndjekje dinamike me metoda speciale hetimore të autorizuara nga prokurori. Këtë punë e bëjnë agjentët nëpërmjet strukturave të tjera në teren. Informacionin se ku “fle lepuri” agjentët dhe strukturat e tjera të terenit, ja përcjellin policisë qëndrore dhe më pas, kjo e fundit ndërsen RENEA-n, që finalizon goditjen përfundimtare, duke ngritur në ajër cilin do që u del përpara. Dhe kështu kjo dinamikë ka ndodhur edhe me dy ditë kontrolle të RENEA-s në rrugë e lokale.
Dy ditë kontrolle në 4 apo 5 qytete sollën kapjen e dy kobureve, të cilat nuk sollën asnjë bereqet. Them asnjë bereqet, pasi Edison Begaj që RENEA e lëvriu në tokë dhe i bllokoi një armë, nuk qëndroi asnjë ditë në burg, për shkak se prokurorja e çështjes kërkoi masën e “arrestit në shtëpie”. Ja 1 me 0 për krimin. E dyta në Fier, ku u arrestua Indrit Hoxhaj alias Kuçi, nipi i njerit prej të fortëve të Fierit, të cilit RENEA, ja hapi këmbët në një lokal, por ai e hodhi pistoletën nga dritarja. Hoxhaj u arrestua por nuk qëndroi asnjë ditë në burg, pasi prokurori i çështjes kërkoi masën e “arrestit në shtëpi”. Ja 2 me 0 për krimin. Asnjë shenjë frike tek krimi, pasi në 26 qershor 4 të vrarë mbetën në Velipojë dhe dy u plagosën, nga katër armë të ndryshme.
Në Shkodër dhe Elbasan, RENEA siç hyri ashtu doli. Nuk kapi asnjë karamidhe dhe jo më armë. Tani bejini vetë hesapet e këtij operacioni që medemek tronditi krimin në Shqipëri. Llogarisni shpenzimet financiare të logjistikës dhe burimet njerëzore për një aksion që kapen vetëm dy kobure. Ndërsa poseduesit e kobureve, sot luajnë “Call of Duty” dhe pijnë “Corona” për tu freskuar nga shtëpitë e tyre.
Që shumë mirë këto dy kobure që kapi RENEA në ambjentet e lokaleve, ti kapte pa shumë zhurmë dhe specialë, Drejtori i Qarkut dhe Shefi i Komisariatit. Por këta nuk ndërhyjnë. “…mos me këtë e mos me atë…”-thonë.
Kur nuk ndërhyjnë tek këta bishtat, imagjino se si mund të shkojë puna tek “ngjalat” e rrëshkitshme si Gëzim Çela, Talo Çela, Lul Berisha, Kërtallat e Shijakut, klani “Duka” të Tiranës, Ibrahimi i Shkodrës, Roland Pula i Krujës, Mariglen Përgjinin e Lezhës, Renaton e Tepelenës, Nuredinin e Elbasanit, apo “Doçen” e Vlorës, që janë në kërkim për krime tmerësisht të rënda. Taloja gjeti Takun, ju nuk gjeni dot Talon…Po çfarë t’i thuash tjetër kësaj…çfarë emri ti vesh…
Po Laerti i Lushnjës si ju ikën gjithmonë gjanëm…
Kush biznesmen në Tiranë që e ruan RENEA, paguan për lirinë e Laertit të Lushnjës?
Qysh prej vitit 2015, Gëzim Çela është në kërkim me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Më thoni një operacion që RENEA apo strukturat policisë të komisariatit Laç dhe Lezhë të kenë bërë për kapjen e tij. Gëzim Çela, sot lëviz lirshëm, nëpër Shqipëri dhe pa ju dridhur qerpiku fare. Në trekëndëshin Nikël, Laç, Patok dhe Fushë-Kuqë e keni. E ndërsa unë shkruaj këtu, Gëzimi në këto momente mund të darkojë me peshk të egër e gafore, në një nga restorantet e Lagunës së Patokut. Asnjë aksion për arrestimin e tij. Asnjë informacion nga strukturat e komisariatit të Laçit në Drejtori Qëdrore, që kjo e fundit të ndërsejë RENEA-n, pastaj. Si rrëshket ky njeri, çfarë ka bërë që është i padukshëm, sa i shkon në muaj liria këtij personi, që prej më shumë se 6 vjet nuk është kapur edhe pse rezulton i dënuar me 10 vite burgim për trafik heroine. Po kështu bën dhe Luli, këtu e keni mos mendoni se ju ka ikur në Gjermani. Për këtë kategori, nuk është Gjermania strehë më e mirë se Shqipëria.
Shikokni rastin e Klemend Balilit, nuk iku asgjëkundi edhe pse ndërkombëtarët thërisnin natë e ditë që policia ta arrestonte. Ja pra që nuk ndodhi asnjëherë, edhe pse jetonte në linjën Tiranë, Durrës, Fier dhe fshatrat e Sarandës. Balili u vetëkap vetëm pas një kanali të fshehtë komunikimi dhe personal mes tij dhe Ardi Veliut, që shkoi dhe i hyri, vetë në makinën “Range-Rover” tek ish-pularia në Delvinë.
Në të njëjtën situatë janë dhe këta sipër që përmenda. E pra kur skeni këllqe të organizoni një operacion të vetëm për kapjen e “ngjalave” si Gëzim Çela, Lul Berisha, Talon me shokë, mos e nxirni RENEA-n më në rrugë për dy psitoleta. Ato kapini vetë me policët tuaj në qarqe. Më mirë çojini ata policë të RENEA-s si hamallë, të ngrenë shezllone në bregdet, se sa ta përdorni për të xhiruar planë filmike, që do ju vlejnë propogandës tuaj.